Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi të hënën se forcat ruse kishin shfrytëzuar javën e kaluar një armëpushim humanitar në qytetin jugor të Oleshky, i cili ndodhet nën kontroll rus, për të përforcuar pozicionet e tyre ushtarake. Moska ka pohuar gjithashtu se Kievi ka bërë të njëjtën gjë.
Armëpushimi gjashtëditor, i ndërmjetësuar nga Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, synonte të lejonte shpërndarjen e ndihmave dhe evakuimin e civilëve nga qyteti, që ndodhet në vijën e frontit. Sipas Melania Trump, në total u evakuuan rreth 800 persona, siç deklaroi ajo në X.
Megjithatë, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se kishte regjistruar rotacione të njësive ruse, fortifikimin e pozicioneve, zgjerimin e masave kundër dronëve përgjatë rrugëve dhe rritjen e aktivitetit logjistik, përfshirë dërgesat e municioneve.
“Sipas armëpushimit të caktuar për operacionin humanitar në Oleshky, njësitë e Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës siguruan respektimin e tij dhe vepruan ekskluzivisht brenda kuadrit të marrëveshjeve të arritura”, thuhet në një deklaratë të Shtabit të Përgjithshëm në X.
“Armiku, përkundrazi, e shfrytëzoi pauzën humanitare për të përmirësuar pozicionet e tij”, shtoi ai.
Burimi: euronews.al









