Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Një ekran i vogël dhe magjia e televizionit në Anglinë e viteve 30

Një ekran i vogël dhe magjia e televizionit në Anglinë e viteve 30
Foto: kultplus.com

Kur BBC-ja nisi transmetimet e saj më 2 nëntor 1936, të kesh një aparat televiziv ishte një luks i rrallë. Pajisjet ishin shumë të shtrenjta, ndërsa sinjali mbulonte një zonë të kufizuar, gjë që e bënte shikimin e televizionit një përvojë të pazakontë, sidomos jashtë Londrës. Në këtë kontekst, një punëtor ferme nga Suffolk i Anglisë u bë i njohur në komunitetin e tij vetëm sepse kishte një televizor në shtëpi.

Blerja e aparatit në Long Melford

George Boar, nga fshati Long Melford, pranë Sudburyt, përdori një trashëgimi për të blerë aparatin e tij televiziv. Në vitin 1937, ai pagoi 120 guinea për pajisjen, një shumë që sot vlerësohet rreth 7.700 paund. Por kjo nuk ishte i vetmi shpenzim për të siguruar mundësinë e ndjekjes së transmetimeve. Boar paguajë edhe 70 paund për vendosjen e një shtylle 60 këmbë të lartë në kopshtin e tij, të ankoruar në dy tonë beton, me qëllim që të merrte sinjalin nga transmetuesi i vetëm televiziv i BBC-së asokohe, në Alexandra Palace në Londër.

Historia e tij tërhoqi vëmendjen e mediave të kohës. Historiani i televizionit, profesor John Wyver, nga Universiteti i Westminsterit, ka shpjeguar në emisionin “Secret Suffolk” të BBC Sounds se fakti që një punëtor nga një zonë rurale, me të ardhura modeste, zotëronte dhe ndiqte rregullisht televizionin ishte mjaft i pazakontë për të tërhequr vëmendjen e shtypit.

Sipas Wyverit, në vitet ’30, shumica e pronarëve të televizorëve i përkisnin shtresës së mesme të lartë, pasi një aparat i tillë kushtonte të paktën sa një veturë familjare.

Edhe vetë televizori i Boarit ishte një objekt që binte në sy. Julie Thompson, nga Shoqëria Historike dhe Arkeologjike e Long Melfordit, ka treguar se aparati ishte rreth 126 centimetra i lartë dhe një metër i gjerë, i vendosur në një kuti druri me stil art deco. Megjithatë, ekrani i tij ishte vetëm 14 inç, ose rreth 35 centimetra.

Banorët dhe fama e Boarit

Boar nuk e mbajti këtë përvojë vetëm për vete. Ai i lejonte banorët e fshatit të hynin në shtëpinë e tij për të parë televizorin, ndërsa kujtimi i atyre vizitave ka mbetur gjallë te Dorothy Theobald, e cila ka jetuar gjithë jetën në Long Melford dhe në dhjetor mbush 100 vjeç. Që në fëmijëri, ajo kujton më shumë përmasat e pazakonta të aparatit sesa programet që transmetoheshin. “Ishte një mobilje shumë e madhe, me vetëm një ekran të vogël”, ka kujtuar ajo.

Por fama e Boarit nuk lidhej vetëm me televizorin. Kur ai i tha një gazetari se dëshironte të gjente një bashkëshorte me të cilën mund ta ndiqte aparatin, gazetat raportuan se kishte marrë rreth 800 letra nga gra të interesuara. Sipas kujtimeve të Theobald, letrat ishin aq të shumta sa duheshin derdhur nga një thes përmes dritares së shtëpisë së tij.

Një ekran i vogël dhe magjia e televizionit në Anglinë e viteve 30

Martesa dhe lidhja me Londrën

Në prill të vitit 1939, Boar u martua në Sudbury me Beatrice Stent, një grua që punonte si kujdestare shtëpie në Londër. Julie Thompson ka evidentuar një hollësi interesante nga arkivat e shoqërisë historike: megjithëse Sudbury ndodhej vetëm rreth dy milje larg Long Melfordit, ai kishte qenë udhëtimi i parë i Boarit drejt atij qyteti.

Ndonëse nuk udhëtonte shpesh larg fshatit të tij, televizioni i ofronte një dritare drejt botës përtej tij. Në një intervistë për revistën “Radio Times”, Boar kishte treguar se i pëlqente të ndiqte transmetimet e ngjarjeve të mëdha, përfshirë ndeshjet e futbollit në Wembley. Në vitin 1938, ndër to ishte edhe finalja e Kupës FA.

Profesor Wyver kujton se Boar e kishte përshkruar televizionin si një mënyrë për të “marrë pjesë në jetën emocionuese të Londrës”. Kështu, përmes një ekrani të vogël në një aparat të madh prej druri, një pjesë e kryeqytetit dhe e ngjarjeve të tij arrinte deri në shtëpinë modeste të një punëtori ferme në Suffolk./KultPlus.com

Një ekran i vogël dhe magjia e televizionit në Anglinë e viteve 30

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha