Takimi me ambasadorin e Gjermanisë
Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, pas takimit të komisionit me ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka thënë se gjatë këtij takimi u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe mes dy shteteve dhe kërkesat e Kosovës në proceset e rëndësishme ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka theksuar se takimi kishte karakter informues, pasi ambasadori Rudolph kishte marrë detyrën e tij në Kosovë vetëm pak kohë më parë, dhe ky ishte takimi i parë me anëtarët e komisionit. Me këtë rast, deputetët kanë paraqitur qëndrimet e tyre për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe kanë kërkuar që Gjermania ta vazhdojë mbështetjen për vendin në rrugën drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare.
“Ky takim i paraprin takimeve të radhës së Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Diasporë me ambasadorët e shteteve miqësore dhe aleate të Kosovës. Në to zakonisht flasim për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe për kërkesat specifike që deputetët i kanë ndaj shteteve në kuadër të proceseve që Kosova po i kalon. E njëjta gjë ndodhi edhe sot me ambasadorin e Gjermanisë. Ishte më shumë një takim informues, sepse kemi një ambasador të ri, me të cilin komisioni u takua për herë të parë, dhe i ndamë qëndrimet tona për proceset që po kalojmë dhe për kërkesat tona në lidhje me to. Këto kërkesa janë të natyrshme dhe zakonisht janë të njëjta”, deklaroi Kryeziu-Hyseni.
Ajo tha se një nga kërkesat kryesore të deputetëve ishte që Kosova të mbetet në axhendën e Gjermanisë dhe të vazhdojë të ketë mbështetjen e këtij shteti në procesin e integrimit evropian, si dhe në përpjekjet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, NATO-n dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.
“Kemi kërkuar që Kosova të mbetet e përfshirë në axhendat e Gjermanisë, në kuptimin e mbështetjes, qoftë në rrugën drejt integrimit evropian, qoftë në rrugën tonë drejt anëtarësimit në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, si Këshilli i Evropës, NATO dhe mekanizma të tjerë. Ato janë shumë të rëndësishme sot, në një kohë kur Evropa po përballet me një situatë shumë të brishtë”, tha ajo.
Kryetarja e komisionit tha se ambasadori gjerman ka dhënë mbështetje për avancimin e kërkesave të Kosovës. Ajo njoftoi gjithashtu se janë diskutuar mundësitë për organizimin e takimeve me homologët e tyre nga Bundestagu gjerman, të cilët synohet t’i ftohen për vizitë në Kosovë.
“Kemi marrë mbështetjen e ambasadorit, i cili do të jetë i gatshëm t’i avancojë kërkesat tona. Kemi menduar gjithashtu të nisim takimet me homologët tanë nga Bundestagu, të cilët mendojmë t’i ftojmë të vijnë në Kosovë për takimet me Komisionin për Politikë të Jashtme. Në të njëjtën kohë, synojmë që ata ta shohin nnga afër shtetin e Kosovës dhe të fitojnë edhe përvoja të tjera”, tha Kryeziu-Hyseni.
Sulmi në Banjskë
Ndërkaq, ajo tha se gjatë takimit janë diskutuar edhe tema të ndjeshme, të cilat nuk mund të bëhen publike në tërësi. Megjithatë, theksoi se një nga kërkesat e përbashkëta të deputetëve ishte që Serbia të detyrohet t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë.
Sipas saj, kjo kërkesë duhet të jetë pjesë e qëndrimit të ndërkombëtarëve, pasi raportet për këtë sulm janë tashmë në dispozicion dhe, siç tha ajo, duhet të merren përgjegjësi për personat e përfshirë.
“Nuk mund të ndahet me publikun gjithçka që thuhet brenda, për shkak të ndjeshmërisë së temave, por një nga kërkesat e përbashkëta të të gjithë deputetëve ishte që Serbia, e cila sapo ka dalë nga një proces i ri zgjedhor dhe do të ketë një përbërje të re politike, të sjellë para drejtësisë kryesuesit e sulmit terrorist në Banjskë. Kemi kërkuar që kjo të jetë kërkesë edhe e vetë ndërkombëtarëve, të cilët tashmë i kanë raportet e nevojshme për të parë kush është kryerësi dhe kush është përgjegjësi pas këtij sulmi terrorist. Konsiderojmë se, përderisa këta persona vazhdojnë të lëvizin lirshëm në Serbi, kjo mund të lehtësojë përsëritjen e një rrethane të ngjashme në të ardhmen, nëse nuk trajtohet nga organet e drejtësisë”, tha ajo.
Burimi: pressonline.al










