Hyrja e Morrone në platformën e re
Aktori italian Michele Morrone po e zgjeron veprimtarinë e tij përtej kinemasë. Ai është bërë pjesë e një platforme të re me përmbajtje ekskluzive me pagesë, ku vepron jo vetëm si krijues, por edhe si bashkëpronar.
I njohur në botë pas suksesit të trilogjisë erotike të Netflix, “365 Days”, Morrone ka marrë një tjetër vendim që ka tërhequr vëmendjen e fansave. Sipas mediave ndërkombëtare, 36-vjeçari u bashkua me Subs.com, platformën e re të themeluar nga Tim Stokely, krijuesi i OnlyFans.
Aktori do të ketë profilin e vet në platformë, ku do të publikojë materiale ekskluzive për abonentët. Ai do të zotërojë gjithashtu një pjesë të biznesit. Në një deklaratë, ai tha se nuk ka qenë kurrë i interesuar të ndjekë rregullat e të tjerëve, por të krijojë të vetat, dhe shtoi se Subs.com i jep mundësi për komunikim më personal dhe të drejtpërdrejtë me fansat.
Çmimet dhe përmbajtja me pagesë
Abonimi në profilin e Morrones kushton 19.99 dollarë në muaj, ndërsa përmbajtja e veçantë me pagesë shtesë kushton nga 5 deri në 35 dollarë. Aktori ka paralajmëruar edhe video-thirrje live dhe ndërveprime të tjera ekskluzive me ndjekësit.
Por ai nuk është i vetmi emër i njohur që ka investuar në platformë. Edhe aktorja Megan Fox, me të cilën Morrone ka punuar në filmin “Subservience”, është bërë pjesë e saj si krijuese dhe bashkëpronare. Hapja e profilit të saj shkaktoi, sipas raportimeve, një fluks të madh vizitorësh, aq sa serverët e platformës patën probleme.
Ndërkohë, Morrone u bë fenomen ndërkombëtar pas rolit të tij në “365 Days”, ku u shndërrua në një nga aktorët më të komentuar për imazhin dhe skenat provokuese. Së fundmi, ai ka qenë pjesë edhe e filmit “The Housemaid”, ku luajti përkrah Sydney Sweeney, ndërsa aktualisht është i angazhuar në xhirimet e vazhdimit të tij.
Burimi: bordo.al









