Thirrja e Papës për dialog
Papa Leoni XIV u ka bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës që bashkëpunimin e arritur për evakuimin e civilëve nga qyteti i Oleshky-t ta përdorin si mundësi për të zgjeruar dialogun dhe për të ndërmarrë hapa konkretë drejt paqes.
Gjatë lutjes së së dielës, kreu i Kishës Katolike përshëndeti operacionin humanitar në këtë qytet ukrainas, i cili ndodhet nën kontrollin e forcave ruse. Ai vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet palëve, falë të cilit banorët e bllokuar për muaj me radhë u larguan.
“Është kryer një operacion humanitar për të ndihmuar popullsinë civile në qytetin e Oleshky-t”, tha Papa, duke shprehur shpresën se kjo nismë do të shërbejë si shembull për zhvillime të tjera diplomatike.
“Shpresoj që bashkëpunimi midis palëve, i cili e bëri të mundur këtë gjest të domosdoshëm humanitar, do të forcojë gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në dialog dhe do të çojë në nisma të reja konkrete për paqen”, theksoi ai.
Armëpushimi lokal dhe evakuimi
Armëpushimi lokal në Oleshky u arrit përmes ndërmjetësimit amerikan, në një proces ku u përfshi edhe Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, si pjesë e përpjekjeve humanitare. Në negociata mori pjesë gjithashtu Vatikani.
Marrëveshja mundësoi evakuimin e civilëve ukrainas që kishin mbetur të bllokuar në qytetin e pushtuar nga forcat ruse. Të shtunën, dhjetëra banorë arritën në territorin e kontrolluar nga autoritetet ukrainase, pas një udhëtimi të vështirë.
Operacioni përbën një rast bashkëpunimi ndërmjet dy palëve ndërluftuese për një çështje humanitare, ndërsa përpjekjet për një marrëveshje më të gjerë paqeje vazhdojnë.
Burimi: www.balkanweb.com










