Vlera Gjakova u emërua së voni nga kryeministri Edi Rama në detyrën e këshilltares për media. Ajo ka lindur në Maqedoninë e Veriut dhe rreth tetë vjet më parë u bashkua me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, Gjakova kandidoi për deputete nën siglën e kësaj force politike.
Angazhimi politik dhe deklaratat e saj
Megjithatë, përveç angazhimit të saj politik, një intervistë televizive e dhënë pak kohë më parë po kthehet sërish në qendër të vëmendjes për shkak të deklaratave të pazakonta që ajo bëri në lidhje me alienët dhe origjinën e njerëzimit.
Gjatë asaj interviste, Gjakova deklaroi se “është thjesht çështje dekadash derisa njerëzimi të njihet me jashtëtokësorët”, duke shtuar se ata mund të kenë qenë pjesë e historisë së civilizimit që në fillimet e tij. Ajo përmendi gjithashtu teori konspirative mbi origjinën e njerëzimit, duke pohuar se raca e bardhë mund të mos jetë me origjinë tokësore, por të jetë krijuar në laborator.
Burimi: insajderi.org









