Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Tatimet shtrëngojnë kontrollet ndaj bizneseve, detyrimet e pashlyera sekuestrohen

Tatimet shtrëngojnë kontrollet ndaj bizneseve, detyrimet e pashlyera sekuestrohen
Foto: shqiptarja.com

Viti 2027 shënon pikën zero për mijëra biznese që po vijojnë të lirohen nga borxhet e papaguara ndër vite, në kuadër të Paqes Fiskale. Deri më tani nga tatimet dhe doganat janë fshirë me miliona euro, ndërsa procesi vijon deri në fund të këtij viti.

Për të mos lejuar një përsëritje të akumulimit të borxheve, shumë kompetenca do të kalojnë në Drejtorinë e Tatimeve.

Mbledhja me forcë e parapagimeve

Pjesë e paketës fiskale është edhe mbledhja me forcë e parapagimeve që duhet të bëjë biznesi, siç mund të jenë këstet e tatimit mbi fitimin. Ky ndryshim është i parashikuar në Projektligjin “Për procedurat tatimore” dhe pritet të nisë zbatimin nga viti që vjen.

“Propozimi për t’i mundësuar administratës tatimore zbatimin e të gjitha procedurave të parashikuara në ligj për mbledhjen me forcë të parapagimeve, sipas nenit 63 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat (kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi), të papaguara në afat, pas përfundimit të afatit ligjor të pagesës, synon të garantojë administrimin dhe mbledhjen në afat të këtyre detyrimeve përgjatë vitit”, thuhet në relacionin e projektligjit.

Këstet e tatimit mbi fitimin janë parapagime bazuar në fitimet e vitit paraardhës, por në relacion thuhet se për shkak të uljes së gjobave për ata që nuk respektojnë afatet janë shtuar abuzimet.

“Me ndryshimet e bëra në vitin 2023, mospagesa e kësteve të tatimit mbi fitimin korporativ dhe mbi të ardhurat personale, e cila trajtohet sipas nenit 114/1 “Mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale”, parashikon se mospagesa e parapagimeve nga biznesi dhe vetëpunësimi, sipas legjislacionit në fuqi për tatimin mbi të ardhurat, dënohet me gjobë në masën 0,06 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë gjatë së cilës pagesa nuk është kryer, por jo më shumë se 365 ditë kalendarike. Ulja e masës administrative nga 10% në 0.06% ka përbërë një ndër faktorët që kanë ndikuar në uljen e disiplinës së pagesës së parapagimeve nga tatimpaguesit”, vijon relacioni.

Ndaj thuhet në relacion se për të shmangur rritjen e gjobës është përfshirë mbledhja e detyrimeve me forcë.

“Ky propozim shmang akumulimin e një vlere të konsiderueshme detyrimi për t’u paguar në momentin e deklarimit dhe përcaktimit përfundimtar të detyrimit tatimor, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës. Në këtë mënyrë, zbatimi i dispozitave shtrënguese pas maturimit të kësteve, i jep administratës tatimore instrumentet e duhura për ndërmarrjen në kohë të masave për mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara”, theksohet në relacion.

Masat shtrënguese dhe të dhënat e tatimeve

Kur detyrimet tatimore nuk paguhen në afat, Administrata Tatimore mund të kalojë te masa shtrënguese e mbledhjes me forcë si bllokimi i llogarive bankare, barra mbi pasurinë, sekuestroja etj.

Sipas të dhënave të vetë tatimeve në fund të vitit 2025, gati 35.5% e detyrimeve të papaguara nga bizneset i takonin tatimit mbi fitimin. Nga ky tatim deri në fund të shtatorit u mblodhën 42.3 miliardë lekë ose 6.5% më pak se në 9 mujorin e 2025-es.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha