Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

AKU me mangësi në kontrollet e miellit, 2.1 milionë tonë drithëra të importuara

AKU me mangësi në kontrollet e miellit, 2.1 milionë tonë drithëra të importuara
Foto: top-channel.tv

Shqipëria është bërë e varur nga importi i drithërave. Sipas të dhënave të KLSH-së, nga viti 2020 deri në 2025, në vend kanë hyrë 2.1 milionë tonë drithëra, prej të cilëve 1.5 milionë tonë kanë si vend origjine Serbinë dhe Rusinë.

Drithërat e importuara lejohen të hidhen në treg vetëm nëse përmbushin kërkesat për cilësi dhe siguri ushqimore. AKU-ja, së bashku me 10 Pikat e Inspektimit Kufitar, duhet të kontrollojë çdo ngarkesë drithërash që hyn në vend.

Megjithatë, auditimi i KLSH-së vërteton se laboratorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nuk analizojnë të gjithë treguesit e sigurisë ushqimore për drithërat. Matja e lagështisë dhe e aciditetit jep shumë pak informacion për cilësinë e grurit ose të miellit që do të përdorin furrat e bukës.

“Vërehet se gama e treguesve të analizuar mbetet e kufizuar dhe fokusohet kryesisht në parametrat bazë fiziko-kimikë, pa përfshirë analiza më të avancuara që lidhen me kontaminantët kimikë, mbetjet e pesticideve, mykotoksinat apo metalet e rënda”.

Edhe për ato pak tregues që AKU-ja mund të ekzaminojë, mungesa e reagentëve bën që laboratorët të mos jenë gjithmonë funksionalë.

“Në shumë raste, analizat nuk janë kryer për shkak të mungesës së reagentëve, mosfunksionimit të pajisjeve ose mungesës së tyre. Si pasojë, janë evidentuar ndërprerje të herëpashershme dhe, në disa raste, pamundësi e plotë për kryerjen e analizave mikrobiologjike”.

Kontrolli në Pikat e Inspektimit Kufitar

Mangësitë në ekzaminimin e drithërave shtrihen edhe në Pikat e Inspektimit Kufitar, të cilat nuk janë të pajisura me infrastrukturën e nevojshme për të garantuar një kontroll fizik efektiv për sigurinë ushqimore në fushën e drithërave.

“Në veçanti, sa i takon situatës në PIK Hani i Hotit, u evidentua se pranë godinës së PIK-ut janë të atashuara tri magazina. Aktualisht, këto ambiente ishin jashtë funksionit. Magazinat në PIK për periudhën 2020-2025, në të gjitha DRAKU-të, nuk kanë qenë të disponueshme për ruajtjen e produkteve”.

Për shkak të kësaj situate, kontrolli fizik kryhet në terren të hapur.

“Inspektorët duhet të ngjiten në kamionët me të cilët transportohen drithërat dhe të bëjnë kontroll fizik vizual të mallit, vetëm nga një pozicion specifik i kamionit, pasi nuk kanë mundësi tjetër për të lejuar që kontrolli të bëhet i saktë”.

Mungesa e magazinave në shumë raste e detyron AKU-në të shkelë vetë ligjet e sigurisë ushqimore.

“Në disa raste, produktet që paraqisnin problematika ose që ishin në pritje të analizave laboratorike administroheshin në të njëjtat ambiente me produktet e tjera, pa ndarje fizike dhe pa masa të posaçme sigurie. Kjo situatë rrit ndjeshëm riskun për kontaminim të kryqëzuar dhe cenon seriozisht sigurinë ushqimore”.

Shqiptarët janë të detyruar të ushqehen me miell serb dhe rus, pasi fermerët tanë i kanë lënë djerrë tokat e bukës për shkak të kostove të larta të prodhimit.

Përballë këtyre kushteve, Shqipëria rrit kërkesën për grurë të huaj, ndërkohë që AKU-ja duhet të bllokojë në kufi produktin e rrezikshëm. Por, me mungesën e laboratorëve dhe të magazinave, siguria ushqimore në vendin tonë mbetet vetëm në letra e ligje, e jo në produkt.

Burimi: top-channel.tv

Të fundit Të gjitha