Projektbuxheti për vitin 2027 në vlerën e 976 miliardë lekëve nga 906 miliardë lekë këtë vit, është i ndërtuar mbi tre shtylla kryesore, sipas Ministrisë së Financave, të cilat kanë në fokus mirëqenien sociale dhe rendin e sigurinë.
Ndërkohë që arkës së shtetit pritet të mbledhë 907,8 miliardë lekë, e ndikuar nga rritja ekonomike e parashikuar në 4%, administrimi i mirë fiskal, ulja e evazionit dhe efekti i rishikimit të taksave.
Ekspertë dhe përfaqësues të bizneseve të ftuar në emisionin ‘Portofol’, edhe pse e vlerësojnë buxhetin si pjesërisht social, shqetësimi i tyre është mungesa e konsultimeve.
“Që të jetë social duhet t’u përgjigjet atyre nevojave që kanë shtresat, dhe jo asaj që qeveria u jep. Koncepti social ka më shumë një etiketë politike sesa përfaqëson atë që thotë. Të gjitha çfarë po bëhen, të paktën ato fiskale, po i përshtaten protestës”, thotë eksperti Eduart Gjokutaj.
Është një buxhet i pamenduar, i nxituar, surprizë. Ne si sektor kemi prezantuar mendimet dhe kërkesat tona për taksa, na ishte konfirmuar se një gjë e tillë nuk do të ndodhte, se nuk do të kishte ndryshime. Nuk duhet të presësh vetëm të mbledhësh para, por duhet edhe qeveria të incentivojë, që në një farë mënyre si tenxhere me presion ku nuk ka ku të dalë ajri, dhe kjo po ndodh sot me pensionet”, shprehet Edvin Prençe, kreu i ProEksport Albania.
Për vitin që vjen qeveria ka parashikuar 2 miliardë euro për investimet publike, me fokus tek avancimi i projekteve rrugore Elbasan-Lekaj, Elbasan-Qafë Thanë, zgjerimi Tiranë-Durrës, Tiranë-Ndroq-Plepa dhe bypass-i i Tiranës. Gjithashtu prioritet është financimi i Portit të ri tregtar në Porto Romano.
“Ka një mbiprogramim investimesh, pra ka një ambicie në letër e cila në terren realizohet shumë pak. Nuk realizohen sepse ka keqprogramim, duhet t’u përshtaten realitetit dhe jo ambicies politike”, thotë Gjokutaj.
Pensionet dhe bonuset mujore
Sa i takon pensioneve, në buxhetin e ri janë parashikuar 250 milionë euro për t’u shpërndarë për më shumë se 770 mijë pensionistë, për indeksimin dhe bonuset mujore.
Pensionet urbane të plota me vlerë deri 40 mijë lekë do të marrin 3600 lekë në muaj. Pensionet urbane të pjesshme me vlerë deri 22 mijë lekë do të marrin 1600 lekë, pensionet rurale me vlerë deri 18 mijë lekë në muaj përfitojnë bonus 2000 lekë, gjithashtu dyfish do të marrin edhe pensionet familjare (1400) dhe ato të invaliditetit (1200 lekë). Kush kalon tavanet nuk përfiton, madje një qytetar që ka pensionin 36 mijë lekë nuk do ta marrë të plotë bonusin që të mos kalojë 40 mijë lekëshin.
“Kjo skemë të kujton një film me të cilin jemi rritur “Lulëkuqet Mbi Mure”, me jetimët, që dikujt i jepej ushqim e tjetrit jo. Pensioni është një e drejtë universale dhe nuk varet nga dëshirat e qeverisë, në momentin që dikush ka kontribuar nuk mund të përjashtohet nga skema e bonuseve. Sado të rriten buxhetet, natyrisht kanë një tavan edhe për pensionet me gjithë vullnetin e mirë që mund të ketë qeveria. Megjithatë, u tha që në fund të vitit do të jetë gati reforma e re e pensioneve që do të shpjegojë atë që do të ndodhë, dhe nuk dimë asgjë. Një pensionist duhet të jetojë si qytetar i denjë”, thotë eksperti për çështjet fiskale dhe ekonomike Eduart Gjokutaj.
Transporti ankohet për TVSH-në, akcizën dhe taksën e qarkullimit, Memaj: Qeveria nëse nuk na ul kostot, duhet të rrisë çmimin e biletës
Operatorët e transportit publik kërkojnë përjashtimin e autobusëve nga dyfishimi i taksës vjetore, si dhe lehtësira fiskale për TVSH-në dhe akcizën e karburantit. Dashnor Memaj, përfaqësues i sektorit, tha në “Portofol” se çdo barrë e re fiskale rëndon më tej situatën financiare të operatorëve, të cilët nuk kanë mundësi të ndryshojnë çmimin e biletës.
“Ne prej kohësh kemi bërë kërkesa të vazhdueshme për uljen e taksës së qarkullimit, një taksë e cila ishte e padrejtë për sektorin tonë. Por heqja e taksës së qarkullimit dhe shtimi i një takse në mjetet e transportit publik, do të thotë që jemi përsëri në të njëjtën linjë me të gjithë mjetet e tjera. Të përjashtohet automatikisht sektori i transportit publik, autobusët, nga ky dyfishim i taksës vjetore. Sektori është në vështirësi, dhe po e shton edhe akoma më shumë. Qoftë edhe rritja me 1% e TVSH-së ndikon drejtpërdrejt tek sektori i transportit publik”, thotë Memaj.
Një tjetër kërkesë e operatorëve lidhet me uljen e TVSH-së për transportin publik, sipas modeleve që aplikohen në disa vende evropiane.
“Kemi kërkuar që të ketë një reduktim të TVSH-së siç e kanë edhe vendet evropiane, për shembull Belgjika e ka TVSH-në e përgjithshme 21% por për sektorin e transportit publik e ka 6%. Holanda po ashtu nga norma e përgjithshme 21%, për transportin publik e ka 9%. Kjo do të ishte një ndihmë për sektorin, duke qenë se jemi me çmim të përcaktuar, nuk ndryshojmë dot çmimet”, thotë Memaj.
Nëse qeveria nuk reagon për kërkesat e sektorit, Memaj thotë se do të kërkohet rritje e çmimit të biletës.
“Përveç TVSH-së është edhe reduktimi i akcizës, mund të ketë rimbursim mujor apo dymujor për sektorin tonë, duke qenë se ne ndikohemi shumë nga ndryshimet e vazhdueshme të çmimit të karburantit në tërësi. Në qoftë se nuk e subvencionon, mund të shkojmë te kërkesat për rritjen e çmimit të biletës”, thotë Memaj.
Qeveria ka hequr taksën e qarkullimit nga nafta por e ka dërguar tek taksat e mjetit. Aktualisht taksa fikse që paguhet sipas llojit të karburantit në taksat vjetore është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën.
Nëpërmjet projektligjit propozohet që për mjetet me fuqi motorike deri 2 mijë kubik, taksa do të jetë 25 lekë për naftën, 20 lekë për benzinën dhe 20 lekë për gazin. Për mjetet me fuqi motorike mbi 2 mijë kubik taksa fikse për llojin e karburantit është 26 lekë për naftën, 21 lekë për benzinën dhe 21 lekë për gazin.
Kurse për autobusët taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën, 20 lekë për benzinën dhe 20 lekë për gazin.
Bizneset kritika për Paketën Fiskale: Është bërë pa konsultim! TVSH-ja 6% për ushqimet mund të ulë çmimet deri në 8%
Pas dekadash në fuqi, qeveria propozon uljen e TVSH-së për 54 produkte ushqimore nga 20% në 6%, një reduktim i tillë duhet të reflektohet në ulje të çmimeve. Nga ana tjetër qeveria synon të rritë TVSH-në e përgjithshme nga 20% në 21%, që automatikisht shtrenjton produktet e tjera. Për paketën fiskale, edhe pse vlerësohet pozitivisht reduktimi i barrës për ushqimet, kritika kanë për mungesën e konsultimeve.
“E para kjo paketë nuk ka pasur konsultim. Nuk janë marrë në konsideratë kërkesat tona. Kundërshtimi kryesor përtej 21% TVSH, kundërshtojmë fort dividendin, çdo barrë që i shton nuk mund të dyfishohet. Kush është mbështetja që po i jep biznesit për t’u bërë një vlerë e shtuar”, thotë kreu i ProEksport Albania Edvin Prençe.
Kurse eksperti për çështjet fiskale Eduart Gjokutaj thotë se për të ulur çmimet duhet të bëhet edhe një analizë për kostot, nuk mjafton vetëm ulja e TVSH-së.
“Çmimet nuk vendosen nga norma e TVSH-së, ajo është e fundit që cakto
Burimi: shqiptarja.com










