Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Behgjet Pacolli shkarkon administratorin e Aeroportit të Vlorës për të marrë kontrollin e plotë

Behgjet Pacolli shkarkon administratorin e Aeroportit të Vlorës për të marrë kontrollin e plotë
Foto: gazetashqiptare.al

Behgjet Pacolli ka nisur një kundërsulm për të siguruar kontrollin e plotë të Aeroportit të Vlorës, duke shkarkuar administratorin e emëruar nga Valon Ademi.

Dokumentet zyrtare dëshmojnë se më 17 tetor, Mabco ka thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve të shoqërisë koncesionare VIA, me një pikë të vetme në rendin e ditës: shkarkimin e administratorit Vegim Hoxha dhe zëvendësimin e tij me Eglantina Seferajn.

Mbledhja e asamblesë së ortakëve u zhvillua në mungesë të plotë të përfaqësuesve të “2A Group”. Pasi u konstatua kuorumi, presidenti Emin Pacolli zyrtarizoi shkarkimin e Hoxhës dhe emërimin e Seferajt, duke autorizuar juristët të regjistrojnë urgjentisht vendimin në QKB.

Fillimisht QKB nuk e regjistroi ndryshimin e administratorit për shkak të mangësive në dokumentacionin e aplikimit të paraqitur nga Mabco. Megjithatë, këtë të premte vendimi u pasqyrua në ekstraktin e shoqërisë VIA në QKB dhe nga sot administratori i VIA-s në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton Eglantina Seferaj.

Vegim Hoxha ishte emëruar administrator i shoqërisë nga Valon Ademi në dhjetor të vitit të kaluar, menjëherë pasi gjykata kishte pezulluar votën e kompanisë “Mabco Constructions” të Pacollit në shoqërinë koncesionare, për shkak të skandalit Delphos.

Lojë shahu

Vendimi për shkarkimin e administratorit Vegim Hoxha nga Emin Pacolli u mor më 17 tetor 2026, vetëm dy ditë pasi Vegim Hoxha kishte bërë aplikimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të regjistruar shitjen e 47 për qind të aksioneve nga Mabco tek 2A Group.

Ky aplikim fillimisht u regjistrua nga QKB më 19 tetor. Por vetëm një javë më vonë, QKB e anuloi regjistrimin e shitjes me justifikimin se nuk ishte depozituar dhënia e pëlqimit nga BKT, duke i kthyer kuotat në gjendjen e mëparshme: 98 për qind për Mabcon dhe 2 për qind për 2A Group.

Pas këtij vendimi të QKB, pronari i 2A Group, Valon Ademi, deklaroi se pronësia e kuotave nuk caktohet me tituj lajmesh, por buron nga kontrata. Ai akuzoi gjithashtu se pas Behgjet Pacollit në aeroportin e Vlorës qëndron dhëndri i ish-presidentit të Kazakistanit, Nursulltan Nazarbajev.

Lufta juridike dhe korporative për aksionet e Aeroportit të Vlorës duket se do të vazhdojë gjatë në gjykata, edhe pasi qeveria e ka zgjidhur koncesionin me VIA-n, duke pritur tashmë vendimin e arbitrazhit për të shtetëzuar aeroportin.

Burimi: gazetashqiptare.al

Të fundit Të gjitha