Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Sigali i Ponarit fiton 500 mijë euro për sigurimin shëndetësor të vettingut

Sigali i Ponarit fiton 500 mijë euro për sigurimin shëndetësor të vettingut
Foto: insajderi.org

Qeveria shqiptare ka përdorur më shumë se 45 milionë lekë nga paratë e taksapaguesve, ose afërsisht 500 mijë euro, për të paguar sigurimin e jetës dhe të shëndetit për ish-anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), institucioni i shkallës së parë të Vetingut.

Këto të dhëna janë përmbledhur në një raport të publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

“Për sa i përket sigurimit të jetës dhe/ose të shëndetit për Komisionerët, personat e lidhur me ta, këshilltarët, si dhe punonjësit e KPK-së, gjatë viteve të periudhës së auditimit, vlera totale e kontraktuar është 46.464.536 lekë pa TVSH”, thuhet në Auditin e Përputhshmërisë që KLSH ka kryer në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Tenderat pa konkurrencë dhe “flamuri i kuq”

Sipas analizave, pothuajse të gjitha procedurat për sigurimin e anëtarëve të shkallës së parë të Vetingut janë fituar nga një kompani e vetme: “Sigal”.

Po ashtu, në dokumentet zyrtare të tenderave rezulton se të gjitha procedurat e fituara nga “Sigal” për llogari të strukturave të Vetingut janë kryer pa konkurrencë, duke u shënuar me “flamurin e kuq”.

Sigurim edhe për dhëmbët

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u krijua në vitin 2017 dhe veproi deri në vitin 2024. Qëllimi i këtij institucioni ishte kryerja e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (Vetingu).

Për shkak të rolit të tyre të rëndësishëm, ligjvënësi parashikoi shpenzime të konsiderueshme për ta, duke përfshirë edhe sigurim gjithëpërfshirës për jetën dhe shëndetin e tyre.

Megjithatë, dëshira për t’i trajtuar sa më mirë 12 anëtarët e KPK-së arriti në nivele pothuajse absurde: procedurat tenderuese për sigurimin e jetës dhe të shëndetit të tyre parashikonin mbulimin e shpenzimeve edhe për probleme stomatologjike (dhëmbët), të cilat nuk dukeshin aspak të arsyeshme të përfshiheshin në mbulimin e kostove nga ana e Shtetit./joqalbania/

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha