Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Ministri Malaj në Ekonomia prezanton buxhetin 2027 me fokus pensionistët dhe pagat e policëve

Ministri Malaj në Ekonomia prezanton buxhetin 2027 me fokus pensionistët dhe pagat e policëve
Foto: shqiptarja.com

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në Komisionin e Ekonomisë projekt-buxhetin e vitit 2027, i cili është më i larti në historinë e Shqipërisë, me rreth 10 miliardë euro.

Opozita nuk mori pjesë në mbledhjen e Komisionit. Gjatë fjalës së tij, ministri Malaj bëri me dije prioritetet e Qeverisë për vitin 2027, ku sipas tij një vëmendje e veçantë i kushtohet mbështetjes për të moshuarit.

Malaj u shpreh se për pensionistët do të ketë indeksim të pensioneve gjatë vitit 2027, si dhe një bonus në muajin prill, të cilat së bashku arrijnë vlerën e 40 milionë eurove.

“Pozicionet e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare janë vlerësuar edhe nga institucionet ndërkombëtare të vlerësimit. Një ndër prioritetet e buxhetit të vitit 2027 do të jetë mbështetja për moshën e tretë. Parashikohet indeksimi i pensioneve dhe afrimi i këtij indeksimi në muajin prill 2027, një politikë që kërkon një fond shtesë nga buxheti prej 1.35 miliardë lekësh. Në total, kostoja për indeksimin e pensioneve bashkë me afrimin në kohë të këtij indeksimi i kushton buxhetit të shtetit 40 milionë euro. Do të kemi dyfishim të vlerës së bonusit mujor për pensionistët duke nisur nga 1 janari 2027, me një kosto prej 20 miliardë lekësh”, deklaroi ndër të tjera Malaj.

Ministri Malaj shtoi se Qeveria do të dyfishojë pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe do të njohë sigurimet shoqërore e shëndetësore për kujdestarët e tyre.

Fëmijët do të përfitojnë mbështetje financiare deri në moshën 5-vjeçare, ndërsa sipas Malajt prioritet do të ketë edhe arsimi.

“Dyfishim i pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe njohja e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për kujdestarët e tyre. Do të vijojmë me bonusin e bebeve, përmes mbështetjes mujore deri në moshën 5 vjeç, ku vlera do të rritet në mënyrë progresive sipas fëmijës së parë, të dytë dhe të tretë. Për vitin 2027, vetëm për mbrojtjen sociale, financimi nga Buxheti i Shtetit arrin në 279.7 miliardë lekë, ose rreth 30% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Arsimi do të vijojë të jetë një investim i drejtpërdrejtë i kësaj qeverie për të ardhmen e vendit. 1.1 miliardë lekë shkojnë për rritjen e bursave për studentët në nevojë”, shtoi Malaj.

Në përfundim, ministri Malaj theksoi se mbështetje e veçantë do të ketë edhe për shëndetësinë dhe rendin e sigurinë.

Ai theksoi se për 8500 efektivë policie që janë në statusin e inspektorit, pagat do të rriten me 20 mijë lekë të reja, ndërsa për të tjerët nga 10-15 mijë lekë të reja, në varësi të gradave që mbajnë.

“Mbështetje të veçantë edhe për shëndetësinë. Siguria dhe rendi mbeten një tjetër pjesë e rëndësishme e prioriteteve të kësaj qeverie. Buxheti parashikon financimin e nevojshëm për këtë sektor dhe një mbështetje shtesë për punonjësit e policisë së shtetit. 3.3 miliardë lekë shtesë shkojnë për pagat e Policisë. Do të përfitojnë rreth 8500 punonjës që kanë kategorinë inspektorë, ku paga e tyre bazë do të rritet me 20 mijë lekë të reja ose 200 mijë lekë të vjetra. Kategoritë e tjera do të përfitojnë një pagë shtesë nga 10 deri në 15 mijë lekë në bazë të gradave që ata kanë”, përfundoi ministri Malaj.

Ai tha gjithashtu se 1.3 miliardë lekë do të akordohen në vitin 2027 edhe për strehimin.

Projektligjet e paketës fiskale 2027 të prezantuara nga ministri Malaj në Komisionin e Ekonomisë:

  • Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012, ‘Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
  • Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.92/2014, ‘Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
  • Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për Taksat Kombëtare”, të ndryshuar”.
  • Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.29, datë 30.3.2023, ‘Për Tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”.
  • Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, ‘Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha