Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Paketa Fiskale 2027 sjell risi për biznesin

Paketa Fiskale 2027 sjell risi për biznesin
Foto: lajmifundit.al

Si drejtues financiar, e shoh paketën fiskale të vitit 2027 më shumë si një çështje zbatimi sesa si një çështje normash. Ajo përmban elemente të mirëpritura: uljen e TVSH-së në 6% për shportën bazë, ruajtjen e lehtësive për biznesin e vogël dhe heqjen e dorëzimit të dyfishtë të pasqyrave financiare në tatime dhe në QKB.

Megjithatë, pesha e saj për biznesin nuk qëndron te këto masa. Ajo qëndron te përqendrimi: TVSH-ja, fitimi, dividenti, pagat, sponsorizimet dhe procedurat ndryshojnë njëkohësisht, nga 1 janari 2027, në një kuadër zbatues ende të pambyllur. Më poshtë përshkruhen shkurt ndryshimet dhe vihet theksi te efekti në funksionin financiar dhe në biznes.

Efekti dhe barra mbi biznesin: kostoja e përshtatjes dhe koha

Çdo masë e marrë veçmas është e menaxhueshme. Kostoja lind nga njëkohshmëria, sepse detyrat janë paralele dhe të ndërvarura: çmimi varet nga norma, norma nga sistemi i faturimit, buxheti nga të gjitha. Në kosto hyjnë orët e ekipit financiar, konsulenca tatimore e ligjore e jashtme, zhvillimet dhe licencat softuerike, trajnimi dhe rreziku i gabimit në muajt e parë. Asnjëra prej tyre nuk figuron në vlerësimet e ndikimit, por i paguan biznesi. Për një grup me departamente të specializuara është ngarkesë; për një shoqëri me një person të vetëm në kontabilitet është e paproporcionuar.

Koha e përkeqëson situatën. Buxhetet e 2027 miratohen në tremujorin e fundit të 2026, mbi supozime që ende lëvizin. Mendimi im është se një buxhet i miratuar pa normat e njohura është i pasaktë, kurse një buxhet i shtyrë është i vonë. Zgjidhja e vetme reale është buxheti me skenarë, me rishikim pas miratimit të paketës dhe të akteve zbatuese.

Karburantet dhe taksimi i automjeteve

Heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe benzinës, e shoqëruar me rritjen e taksimit vjetor të automjeteve, ndryshon mënyrën e shpërndarjes së barrës fiskale. Efekti i pritshëm është ulja e çmimit të karburantit me 32,4 lekë për litër, përfshirë efektin e TVSH-së, nëse ulja kalon plotësisht te konsumatori. Por kjo nuk do të thotë se kostoja totale e transportit ulet për çdo biznes. Për një shoqëri me flotë automjetesh, përfitimi nga karburanti duhet krahasuar me rritjen e taksës vjetore për secilin mjet. Rezultati varet nga numri i automjeteve, konsumi vjetor dhe kriteret e reja të taksimit.

Bizneset me konsum të lartë karburanti mund të përfitojnë më shumë nga ulja për litër, ndërsa ato me flotë të madhe mund të përballen me një barrë më të lartë vjetore. Për këtë arsye, buxheti i vitit 2027 duhet të përfshijë një rillogaritje të kostos totale të flotës, jo vetëm një parashikim të çmimit të karburantit. Përpara zbatimit, duhen sqaruar formula e re e taksimit, kategoritë e automjeteve që përfshihen dhe trajtimi i mjeteve me targa të huaja, në mënyrë që efekti neto të vlerësohet mbi bazën e rregullave konkrete dhe jo të supozimeve.

TVSH: mekanika më e rëndësishme se norma

Ndikimi më i madh nuk është pika e shtuar e normës, por mënyra si zbatohet. Së pari, momenti i lindjes së detyrimit tatimor: fatura e dhjetorit për furnizim në janar, avanset e 2026 për shitje në 2027 dhe furnizimet e vazhdueshme nuk duhet të lihen në interpretim, përndryshe biznese të ndryshme do t’i trajtojnë ndryshe dhe pasoja është mosmarrëveshja në inspektim. Së dyti, kontratat me çmim të fiksuar: pa klauzolë rishikimi, barra shkon te pala që e ka formuluar më keq kontratën, çmim pa TVSH apo me TVSH; kontratat afatgjata, përfshirë ato me sektorin publik, janë më të ekspozuarat. Së treti, kredia e TVSH-së: biznesi që blen stoqe me 20% dhe i shet me 6% krijon pozicion kredie. E drejta e zbritjes ruhet, por zbritja ose rimbursimi nuk është i menjëhershëm, kështu që efekti shfaqet në kapitalin qarkullues dhe në rrjedhën e parasë, jo në rezultat.

Në akomodim, rritja nga 6% në 10% vjen kur çmimet e sezonit 2027 janë negociuar shpesh me operatorët turistikë. Nëse çmimi është pa TVSH, barra bie mbi klientin; nëse është me TVSH, zbret drejtpërdrejt nga marzhi i operatorit.

Fitimi, dividenti dhe fitimi i pashpërndarë i periudhave të mëparshme

Barra e kombinuar mbi fitimin e shpërndarë rritet nga 21.8% në 27.75%, pra me 5.95 pikë, rreth një të tretën në terma relativë: nga 100 lekë fitim para tatimit, ortaku merr 72.25 në vend të 78.2. Pyetja që më shqetëson më shumë, megjithatë, është e kaluara. Fitimi i pashpërndarë i viteve të mëparshme është tatuar tashmë me tatimin mbi fitimin dhe është mbajtur në shoqëri me pritshmërinë e një dividendi 8%. Nëse norma 15% zbatohet për çdo shpërndarje pas 1 janarit 2027, pavarësisht nga periudha ku fitimi është krijuar, efekti ekonomik i ngjan atij prapaveprues. Për çdo 100 milionë lekë fitim të pashpërndarë, diferenca është 7 milionë lekë. Rregulli kalimtar duhet shprehur në akt, jo lënë në interpretim.

Në mungesë të tij, drejtuesit financiarë kanë tri rrugë: shpërndarje të nxituar para 1 janarit, mbajtje të fitimit përmes riinvestimit ose rritjes së kapitalit, ose pritje. Shpërndarja e nxituar kufizohet nga miratimi i pasqyrave financiare, nga likuiditeti dhe nga rregullat e Ligjit për Shoqëritë Tregtare për rezervat, kapitalin dhe të drejtat e ortakëve pakicë; një shpërndarje vetëm për motive tatimore, pa këto kontrolle, rrezikon vlefshmërinë e vendimit. Riinvestimi e lidh kapitalin në afat të gjatë. Pritja e lë vendimin peng të një rregulle që nuk ekziston. Në çdo rast, shoqëria, si agjent i mbajtjes në burim, mban përgjegjësinë për normën e saktë, çka e kthen pasigurinë normative në rrezik përputhshmërie për vetë shoqërinë. Njësimi i normës së mbajtur në burim në 15% kërkon qartësim edhe për pagesat drejt jorezidentëve dhe për marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë.

Biznesi i vogël mes tri pragjeve

Ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë është ndryshim i modelit operativ, jo thjesht detyrim shtesë: regjistrim, faturim me TVSH, deklarim mujor, kontabilitet i rregullt, softuer fiskal dhe TVSH në çmim për klientët që nuk e zbresin. Më thellë se kaq, paketa ripërcakton kategorizimin e bizneseve të vogla me tre kufij që ndërveprojnë: 5 milionë për TVSH-në, 14 milionë për përjashtimin nga tatimi mbi fitimin dhe regjimi 15%/23% për personat fizikë tregtarë. Një subjekt me xhiro 4 milionë nuk regjistrohet në TVSH. Një tjetër me 6 milionë regjistrohet, por mbetet i përjashtuar nga tatimi mbi fitimin. Një i tretë me 15 milionë hyn plotësisht në regjimin e përgjithshëm. Çdo kalim rrit menjëherë koston e përputhshmërisë, ndërsa fitimi rritet gradualisht.

Rezultati është nxitje për ndarje artificiale të veprimtarisë, për frenim të rritjes nën prag ose për kthim te informaliteti. Askush nuk e dëshiron këtë efekt, por një kategorizim pa kriter të qartë matjeje e prodhon. Mbeten pa përgjigje mënyra e matjes së xhiros (vit kalendarik apo 12 muaj), afati i detyrimit për t’u regjistruar dhe trajtimi i subjekteve që e kalojnë pragun gjatë vitit. Për subjektet midis 5 dhe 14 milionë, barra administrative shtohet pa u shoqëruar domosdoshmërisht me bazë tatimore për shtetin, ç

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha