Edicioni i trembëdhjetë i Festivalit të Filmit të Shkurtër në Korçë do të paraqesë afro 100 filma nga më shumë se 40 vende të botës, duke e shndërruar qytetin në një vend takimi për kineastë, regjisorë dhe producentë, të cilët përmes gjuhës së filmit sjellin histori, këndvështrime dhe mënyra të ndryshme të rrëfimit kinematografik.
Motja dhe temat e festivalit
Me moton “What We Ignore Remains”, festivali do të zgjasë gjashtë ditë, gjatë të cilave publiku do të ketë mundësinë të shohë prodhime që trajtojnë çështje të rëndësishme shoqërore, mjedisore dhe njerëzore.
Edhe pse filmat në konkurrim nuk lidhen nga një temë e vetme, shqetësimet për mjedisin dhe dëmtimin e natyrës zënë një vend të rëndësishëm në rrëfimet kinematografike, bashkë me tema të tjera sociale që pasqyrojnë realitete dhe sfida të ndryshme të shoqërive bashkëkohore.
Formatet dhe kategoritë e reja
Një nga veçoritë e këtij edicioni është zgjerimi i formateve dhe kategorive filmike. Përveç filmave artistikë dhe dokumentarë, programi përfshin edhe filma të animuar, eksperimentalë, krijime në realitetin virtual, si dhe prodhime të realizuara me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Kështu, festivali synon të sjellë në vëmendje jo vetëm tema që kërkojnë reflektim, por edhe mundësitë e reja të shprehjes artistike dhe ndikimin e teknologjisë në të ardhmen e kinematografisë.
Pjesë e këtij edicioni janë edhe filma të autorëve shqiptarë, duke i dhënë hapësirë krijimtarisë vendore në një program ndërkombëtar që bashkon perspektiva dhe përvoja të ndryshme kinematografike.
Përgjatë gjashtë ditëve, Korça do të kthehet në një hapësirë takimi dhe shkëmbimi artistik, ku filmi i shkurtër bëhet mjet për të trajtuar realitete që shpesh mbeten jashtë vëmendjes publike. Vetë motoja e festivalit, “What We Ignore Remains”, nënvizon rëndësinë e përballjes me çështjet që shoqëria zgjedh t’i anashkalojë./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










