Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Edicioni i 16-të i Ditëve të Mios hapet në Korçë

Edicioni i 16-të i Ditëve të Mios hapet në Korçë
Foto: rtsh.al

Korça pret edicionin e 16-të të kolonisë ndërkombëtare të arteve figurative “Ditët e Mios”, një veprimtari që mbledh së bashku artistë nga vende të ndryshme të botës, në kujtim të një prej emrave më të njohur të artit shqiptar, piktorit Vangjush Mio.

Artistë nga vende të ndryshme në Korçë

“Do të kemi piktorë që kanë ardhur nga Gjeorgjia, Dubaji, Turqia, Greqia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Korça, në të vërtetë, është një vend i vogël, por ka një kulturë të jashtëzakonshme dhe ne kemi shumë gjëra për t’ju treguar sot”, u shpreh Blerta Belliu, Drejtore e Qendrës Kulturore “Vangjush Mio”.

“Isha shumë e re, në të njëzetat e mia, kur punoja në televizion dhe përgatita një dokumentar për Vangjush Mion. Atëherë hyra për herë të parë në këtë godinë. Jam mahnitur nga kjo dritare e çmuar e kulturës shqiptare, do të thoja, ku ruhen peneli, telajoja dhe veprat e rralla të një piktori të madh si Vangjush Mio”, tha Benila Themeli, Nënkryetare e bashkisë Korçë.

Kolonia “Ditët e Mios” vazhdon të mbajë gjallë trashëgiminë artistike të piktorit të njohur, duke e kthyer Korçën në një vend takimi për artistë nga vende të ndryshme dhe duke forcuar shkëmbimet kulturore përmes artit figurativ.

Piktorë nga vende të ndryshme janë bërë pjesë e kësaj kolonie, duke sjellë në qytetin e serenatave përvojat, frymëzimet dhe këndvështrimet e tyre artistike. Përmes ngjyrave dhe penelatave, ata i japin jetë një takimi tjetër kulturor, që ndërthur traditën e pikturës me krijimtarinë bashkëkohore.

“Gjatë vizitës në shtëpinë-muze dhe njohjes me krijimtarinë e këtij piktorit të jashtëzakonshëm, më lindi ideja që në këtë edicion të realizoj një nga peizazhet e Mios, duke e sjellë në një version modern, sipas këndvështrimit tim artistik. Sigurisht, kjo ide do të realizohet vetëm pasi të marr lejet përkatëse dhe miratimin e familjarëve të tij”, tha piktorja Daniela Nikolova.

Ekspozita përmbyllëse në Galerinë “Guri Madhi”

Aktiviteti do të përmbyllet më 31 tetor, në Galerinë e Arteve “Guri Madhi”, ku do të hapet një ekspozitë me punimet e realizuara gjatë ditëve të kolonisë. Veprat e artistëve pjesëmarrës do t’i mbeten fondit të kësaj galerie, duke i dhuruar qytetit të Korçës një tjetër pasuri artistike dhe duke lënë një gjurmë të këtij edicioni të 16-të të “Ditëve të Mios”.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Burimi: rtsh.al

Të fundit Të gjitha