Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore zhvilloi inspektime në terren në Kalanë e Kaninës, me synim dokumentimin e gjendjes së tanishme të monumentit dhe vlerësimin e punimeve të kryera deri më sot.
Inspektimi i strukturës historike
Ekspertët e IKTK-së vëzhguan gjendjen e strukturave historike, duke i kushtuar kujdes të veçantë mbrojtjes së vlerave arkitektonike dhe autenticitetit të monumentit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, theksoi se monitorimi në terren mbetet një proces i rëndësishëm për ndjekjen e gjendjes së monumenteve dhe për garantimin e mbrojtjes së trashëgimisë sonë kulturore.
Kalaja e Kaninës pranë Vlorës
Kalaja e Kaninës është një monument me rëndësi historike dhe kulturore, i cili ndodhet rreth 6 km në juglindje të qytetit të Vlorës, në fshatin Kaninë. Fortifikimi daton që nga periudha ilire (shek. IV para Krishtit) dhe është rindërtuar nga romakët, bizantinët dhe osmanët. Kalaja ofron një pamje të gjerë panoramike mbi gjirin e Vlorës dhe detin Adriatik.
Në kala vijojnë punimet konservuese, strukturore dhe gjeologjike. Ky projekt synon konsolidimin dhe ruajtjen e strukturave historike të kalasë, përmirësimin e infrastrukturës dhe të shërbimeve për vizitorët./atsh/KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










