Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Glenn McQueen, krijuesi i personazheve të Pixar, ndahet nga jeta

Glenn McQueen, krijuesi i personazheve të Pixar, ndahet nga jeta
Foto: kultplus.com

Glenn McQueen ishte një ndër animatorët më me ndikim dhe më të vlerësuar në historinë e animacionit dixhital, njeriu që përmes krijimtarisë, talentit dhe angazhimit të tij kontribuoi në ndërtimin e botës magjike të studios Pixar dhe la një trashëgimi të paharrueshme në kinematografinë botërore.

Fillimet e karrierës së Glenn McQueen

Rruga e tij artistike nisi pas diplomimit në vitin 1985 në Kolegjin Sheridan të Kanadasë, vend nga i cili u dërgua me bursë për të punuar në Laboratorin e Grafikës Kompjuterike në Institutin e Teknologjisë të Nju Jorkut. Atje ai drejtoi departamentin e prodhimit 3D, duke realizuar efekte filmike, reklama televizive dhe materiale shkencore që hodhën bazat e karrierës së tij të suksesshme.

Kthesa më e madhe e jetës së tij profesionale ndodhi në vitin 1994, kur u largua nga Pacific Data Images për t’u bashkuar me studion Pixar. I tërhequr nga projekti novator i filmit Toy Story dhe nga respekti i madh për regjisorin John Lasseter, McQueen u shndërrua shpejt në shtyllën kurrizore të departamentit të animacionit. Ai mori rolin e mbikëqyrësit të animacionit në disa prej filmave më ikonikë dhe më të suksesshëm pas Toy Story, duke përfshirë A Bug’s Life, Toy Story 2 dhe Monsters, Inc.. Puna e tij shquhej për aftësinë për t’u dhënë personazheve vizatimorë shprehi njerëzore, emocione të vërteta dhe një gjallëri që pushtoi zemrat e miliona fëmijëve dhe të rriturve në mbarë botën.

Sëmundja dhe trashëgimia e tij

Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm dhe ngarkesës në punë, në dhjetor të vitit 2001 ai u përball me një diagnozë të rëndë shëndetësore, melonomën. Edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë, ai zgjodhi të mos i ndahej pasionit të tij, duke vazhduar të punojë pranë kolegëve te Pixar derisa u nda nga jeta më 29 tetor 2002, në moshën 41-vjeçare, në shtëpinë e tij në Kaliforni.

Humbja e tij la një boshllëk të madh në komunitetin e animacionit, por puna dhe shpirti i tij mbetën të gjalla përmes veprave që ai la pas. Gjatë prodhimit të filmit Finding Nemo, i cili u kaplua nga pikëllimi për ndarjen e tij nga jeta, studioja ia dedikoi projektin kujtimit të tij. Ndërkohë, kolegët e tij e përjetësuan emrin e tij në një nga mënyrat më origjinale në historinë e kinemasë, duke pagëzuar protagonistin kryesor të filmit të njohur Cars me emrin Lightning McQueen.

Veprimtaria e Glenn McQueen mbetet dëshmi e një artisti që nuk u dorëzua kurrë përpara sfidave dhe që përmes artit të tij i dha frymë dhe personalitet figurave që sot konsiderohen klasike të animacionit modern./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha