Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Ndërtesa në oborrin e shkollës Kirili e Metodij në Tetovë bëhet strehë e përdoruesve të drogës

Ndërtesa në oborrin e shkollës Kirili e Metodij në Tetovë bëhet strehë e përdoruesve të drogës
Foto: albeu.com

Hapësira që fillimisht ishte menduar si strehë për punëtorët e përfshirë në ndërtimin e pishinës tashmë është shndërruar në një vend ku, sipas mbetjeve të gjetura, konsumohen lloje të ndryshme droge. Ky objekt i vogël ndodhet brenda oborrit të shkollës fillore “Kirili e Metodij” në Tetovë.

Rreziku për nxënësit rritet edhe më shumë për shkak se hapësira nuk është rrethuar dhe as izoluar nga pjesa tjetër e shkollës, ndërsa gropat e pishinës kanë mbetur të hapura. Drejtoresha pohon se rastin e ka raportuar në polici, por nga SPB Tetovë mohojnë se kanë pranuar një raportim të tillë.

Drejtoresha e shkollës dhe përgjegjësia

Drejtoresha e shkollës, Sihana Kaba Kasami, deklaroi se përmes kamerave të sigurisë monitoron gjithçka, por për situatën është informuar nga mediat.

Gazetari: A e keni denoncuar rastin në polici dhe a keni ndërmarrë masa për izolimin e objektit, duke pasur parasysh se ai ndodhet në oborrin e shkollës?

“Objekti ndodhet në oborrin e shkollës sonë, por ne nuk kemi më kompetenca mbi atë pjesë, pasi ajo i është dorëzuar investitorit. Për këtë arsye, përgjegjësia i takon investitorit dhe nuk është më nën kujdesin tonë. Edhe unë, njësoj si ju, e kam parë atë incizim”, u përgjigj Sihana Kaba Kasami, drejtoreshe e Sh.F. “Kirili e Metodij”.

“Në Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë, gjatë javës së kaluar, por edhe më herët, nuk ka pasur raportim zyrtar për një rast të tillë”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Policia dhe siguria në shkollë

Kasami tha gjithashtu se gjatë ditës në shkollë qëndrojnë dy policë, të cilët kujdesen për procesin mësimor dhe lëvizjen e nxënësve gjatë pushimit të gjatë.

“Gjatë ditës kemi edhe sigurim. Dy policë janë të shpërndarë në shkollën tonë dhe ndjekin zhvillimin e procesit mësimor, si dhe lëvizjen e nxënësve gjatë pushimit të gjatë”, u shpreh drejtoresha Kasami.

Policia e mohoi edhe këtë deklaratë, duke sqaruar se nuk ka pjesëtarë të angazhuar posaçërisht për shkollën “Kirili e Metodij”.

“Nuk ka policë të caktuar enkas për një shkollë të vetme. Kur në një zonë ndodhen dy shkolla, pjesëtarët e policisë patrullojnë ose mbulojnë të dyja objektet”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Ndjenja e pasigurisë te nxënësit shtohet edhe nga parkimi i automjeteve të punonjësve brenda oborrit të shkollës, ku lëvizin nxënësit e arsimit fillor./Alsat.mk.

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha