Deri në fitoren në zgjedhje, ishte gati një çerek e punës, por këtej e tutje do të jetë treçereku, thoshin rëndom njerëzit në orët e fundit në Beograd, pak para zgjedhjeve serbe. Është ekuilibër i plotë, por ai (Vuçiq) do të manipulojë me shumë gjasa zgjedhjet sepse është mjeshtër, ndihesh qoftë në prononcime, por edhe në të folurat e zakonshme të serbëve. Me shumë gjasa, ai do bëjë më të keqen, të përgjigjeshin të tjerët. Krejt befasisht për publikun, shumë shpejt në mbrëmjen e të dielës, Vuçiq, jo vetëm do t’i pranonte rezultatet, por do të gatiste edhe mbështetësit për të ardhmen në opozitë.
Reagimi i Vuçiqit dhe pasoja e pushtetit
Kuptohet, pastaj në rolin e autokratëve evropianë e eksportoi fajin por edhe më shumë se kaq u justifikua dhe madje përcolli dhe “shqetësimin” për Serbinë e të ardhmes! Pjesëmarrja masive në zgjedhjet serbe por më shumë se kaq entuziazmi i njerëzve i dha fund një periudhe të hidhur, ku pushteti pakufi i Vuçiq dhe i njerëzve të tij humbi me shpresën për të mos u kthyer më. Në më shumë se një dekadë qeverisje, pushteti i Vuçiç u dëmtoi jo vetëm dinjitetin njerëzve, por në rastin e aksidentit korruptiv të Novi Sadit mori dhe jetën e gjashtëmbëdhjetë njerëzve të pafajshëm, duke e zgjatur përgjegjësinë e zinxhirit korruptiv ngado.
Gjendja demokratike dhe sfida e protestës
Me fjalë të tjera: Aktualisht gjendja demokratike e Serbisë është e rëndë dhe rimëkëmbja e këtij shteti do të kërkojë përpjekje të mëdha, nëse premtimi i studentëve dhe angazhimi i domosdoshëm qytetar do të jetë në nivelin e duhur dhe me nota idealizmi. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërish vetëm pjesëmarrje fizike në proceset që kërkojnë ndryshimin në udhën e duhur, por edhe një lloj qartësie dhe vizioni mbi proceset që duhen ndërmarrë. Në fakt, ekzistenca e dëshirës për ta bërë Serbinë një vend mirëfilli evropian dëshmohet deri diku nga rezultati zgjedhor dhe ky duhet të jetë edhe shembulli i vetëm i protestës që po bëhet në Shqipëri.
Anipse, protesta në Shqipëri duhet të ngjitet në lartësinë për sfidë, por kjo duket bajagi e madhe, tashmë para kundërmasave të ashpra të Ramës. Ndërsa për serbët sfida mbetet ndaj pritshmërive që ka publiku nga premtimet e studentëve dhe profesorëve të tyre, për Shqipërinë sfida është të transformojë fillimisht protestën, objektivat që duhet të kapë dhe më këtë rast që të kthehet në lëvizje. Ky ishte hapi i parë dhe vendimtar i saj që të kalojë sfidën më të madhe për t’u identifikuar me objektiva të prekshme dhe të matshme.
Sfida nga pritshmëritë mbetet palca e një lëvizje, pikërisht ajo që ndan dhe evidenton pjekurinë e një komuniteti. Kjo po kërkohet sot, në këtë gjendje amullie dhe boshësie për protestën amorfe në Shqipëri. Veçse përballë sfidës së pritshmërive është realiteti i hidhur shqiptar dhe paradokset e tij. Amullia jonë. Ne jemi ende në çerekun e punës për të nisur e ndryshuar vendin tonë…
Burimi: shqiptarja.com










