Postimet e para që u shfaqën në Tiranë pas humbjes në zgjedhje të Aleksandër Vuçiçit në Beograd e paraqisnin Edi Ramën si shumë të dëshpëruar. Intuiti i autorëve të tyre kishte kapur anën e dukshme të marrëdhënies së dy njerëzve të fuqishëm të Ballkanit, por ndoshta jo thelbin e saj. Rama dhe Vuçiç nuk e kanë dashur kurrë njëri-tjetrin. Përkundrazi, janë urryer në heshtje. Dy personalitete kaq të ngjashme, siç i ngjan pema pemës nga një pyll në tjetrin, nuk kanë asnjë mundësi të duhen. Bashkë i ka mbajtur interesi. Në 12 vitet e fundit të marrëdhënies së tyre, së bashku kanë qenë shumë më tepër sesa do të ishin veç e veç. Kanë qenë si dy kuaj që kanë tërhequr karron e pushtetit të njëri-tjetrit, duke parë secili interesin e vet vetjak. Dy binjakë që kanë ndarë të njëjtën dashuri të pakufi për pushtetin.
Vetëm duke i parë ata si një binom interesi mund të kuptohet jo vetëm jetëgjatësia e tyre politike në Tiranë e Beograd, por edhe simbioza dhe kimia e pazakontë e dy drejtuesve të fortë me ndikim absolut jo vetëm në vendet e tyre, por edhe në krejt Ballkanin. Me gjasë, me ndikim edhe në formësimin e një qasjeje të re e jotradicionale që Perëndimi ka pasur për rajonin. Rama e Vuçiç ishin aspirina për kokëdhembjen e Perëndimit sa herë që duhej të merrej me kokëfortësinë ballkanase, ku çdo gur i historisë së saj ndërtonte mur izolimi mes kombeve të tij. Ata as shpjegohen dhe as mund të kuptohen vetëm nga psikologjia politike, nga historia politike dhe nga lojërat e rrethanave; portreti i tyre del në dritë vetëm nëse mbi ta hidhet dritë me veglat fantastike të letërsisë. Letërsia politike dhe psikologjia u japin të dyve një kostum pothuajse të përbashkët në ngjyrë, formë e model.
Sa ngjajnë dy evropianët “part time” të Ballkanit
Të dy liderët, Vuçiç i sapohumbur dhe Rama nën presion për të ikur, ndajnë të njëjtin narcizizëm të thellë vetjak e politik. Të dy e trajtojnë veten si dhurata mesianike që një fat hyjnor ua ka dhuruar reciprokisht Shqipërisë dhe Serbisë. I pari, si shpëtimtari i sakrifikuar, që nuk fle, që as nuk bën pushime në bregdet për hir të vendit të tij pa dalje në det e të rrethuar nga armiq, dhe i dyti, si oferta e vetme për ta bërë Shqipërinë një oaz estetik e evropian. Të dy e kanë identifikuar veten me shtetin dhe gjithë institucionet e tij; të dy vetëkonsiderohen si njëshat e pagabueshëm, ku gjithë të tjerët vetëm duhet të binden dhe të ndjekin vizionin dhe ëndrrën e tyre. Që e cilësojnë veten si shpresë e vetme për të ardhmen skenografike; një shpresë që mund të realizohej vetëm duke vijuar ata vetë të qëndrojnë në pushtet.
Të dy liderët ballkanikë janë të obsesionuar nga nevoja për kontroll. E bëjnë këtë në mënyrë kapilare, duke përqendruar e centralizuar pushtetin në një dorë nga një anë dhe duke qenë intolerantë gjithmonë e më ekstremë ndaj kritikave. Qoftë nga ato që u vijnë nga opozita, shoqëria civile apo edhe media tradicionale dhe rrjetet sociale, qoftë kur ato vijnë nga rruga. Duke mbyllur këtë derë të ndikimit të jashtëm mbi vullnetin e tyre, bashkarisht, me një simetri më së paku të çuditshme, çuditërisht fleksibël në ekstrem, të dy ata nuk janë peng as i të shkuarës së tyre dhe as i qëndrimeve që kanë mbajtur në kohë.
Ish-anarkisti Rama, ideolog i ekstremit të djathtë, por pa traditë shqiptare, ka lëvizur në një spektër jashtëzakonisht të gjerë. Ka lëvizur që nga nevoja për “të varur komunistët në litar” në fillim të viteve 90-të dhe nevoja për çlirim nga pengmarrja shpirtërore që i kishin bërë shoqërisë “brekët e Violeta Manushit”, deri tek shndërrimi në një baba të të varfërve të shumtë e fatkeq të Shqipërisë. Për t’u rikthyer sërish, në mënyrë më moderne, tek vetemërimi si CEO i përgjithshëm i një grushti biznesesh VIP në vend dhe kujdestar e garant interesash okulte lokale e transnacionale.
Vuçiç e pati të lehtë të bënte një kapërcim të ngjashëm duke zëvendësuar shajakun e ashpër ballkanas të ultranacionalistit dhe ministrit të Milosheviçit, me udhëheqësin proevropian dhe balerinin delikat mes SHBA-së dhe Evropës nga njëra anë dhe Rusisë e Kinës nga ana tjetër. Me një këmbë në krevatin e dashnorit të Perëndimit duke u dukur perëndimor përpara Lindjes ruso-kineze dhe këmbën tjetër në shtratin e bashkëshortes Lindore, duke u dukur lindor përpara Perëndimit, Vuçiç u mirëkuptua si i tillë më së pari nga vetë Rama. Vuçiç është shembulli sesi për një autokrat, përkatësia ideologjike nuk ka asnjë vlerë përpara qëndrimit në pushtet me çdo kush e çmim.
Këtë sfond të përbashkët psikologjik, interesash të përbashkëta dhe ambicjesh reciproke, dy liderët autoritarë të Ballkanit e kanë miksuar në mënyrë fantastike. Egoizmi i tyre i përbashkët dhe nevoja për të qëndruar në pushtet ishin ftesa e parezistueshme për të ndërtuar ura për njëri-tjetrin edhe aty ku logjika normale do të kërkonte ndërtim muresh të përkohshëm. Pragmatizmi i çoi ata në një vëllazëri politike, duke krijuar një marrëdhënie personale që bëhej gjithmonë e më shumë e tillë, sa më shumë prapësoheshin nga çdo rol e ndikim i mundshëm institucionet tradicionale të politikës së jashtme. Në këtë mënyrë ata rritën aksionet e tyre personale. Më pak brenda skenës lokale politike dhe shumë më tepër në arenën ndërkombëtare. Rama e vuri Vuçiç në vitrinën e serbëve ndryshe, e serbëve të paqes që nuk i urrenin apriori shqiptarët, Vuçiç i dha mundësi Ramës të shfaqej si lideri me stof udhëheqësi mbirajonal dhe me një rol që i tejkalonte kufijtë natyralë të vendit ku votohej.
Aleanca e paqes mes njerëzve të luftës
Nëse pranohet si e vërtetë aksioma se “Pa pasur paqe mes shqiptarëve dhe serbëve, Ballkani vetë nuk mund të ketë paqe!”, simbioza Rama e Vuçiç ishte oferta e ëndërruar e Perëndimit. Me zell milingone dhe ngulm blete, ata i dhanë Perëndimit atë që ai donte, zgjidhjen më të lehtë dhe më të drejtpërdrejtë. Ata i dëshmuan Perëndimit se nëse shqiptarët e serbët gjenin udhëheqësit e duhur – dhe me këtë nënkuptonin njëri-tjetrin – Ballkani mund të kishte të nesërme të ndryshme nga ajo që sugjeronte historia e afërt dhe e largët e rajonit. Kjo dhe vetëm kjo ka qenë arsyeja kryesore që të dy së bashku kanë qenë për një periudhë të gjatë të preferuarit e Perëndimit. Kjo dhe vetëm kjo ka qenë arsyeja që stabiliteti lokal dhe ai rajonal bënte të mundur shkeljen e syrit dhe refuzimin për të parë shkeljet, rrënimin dhe cënimin gradual e të pandalshëm të standarteve demokratike në Shqipëri e Serbi. Duke krijuar një ekuilibër të ri mes tyre, jo të drejtë, jo të përputhshëm me frymën e Perëndimit dhe në dëm të demokracisë lokale deri në kufijtë e autokracisë elektorale dhe demokracisë hibride.
Rënia e Vuçiç
Vuçiç i humbi zgjedhjet dhe doli në opozitë mbas 14 vjetësh në pushtet. I vënë prej gati dy vitesh nën presion nga protestat, autokrati i Beogradit nuk mundi të mbijetojë më gjatë. Nuk dihet roli që ka pasur faktori ndërkombëtar në këtë disfatë. Vetë Vuçiç ka akuzuar shtetet evropiane dhe Deep State në SHBA për rrëzimin e tij. Në fakt zgjedhjet ishin një referendum i gjerë popullor kundër korrupsionit endemik dhe vetë Vuçiçit. Njëlloj siç kishte ndodhur më parë në Hungari me një tjetër autokrat jetëgjatë.
Burimi: top-channel.tv










