Nga Lorenc Vangjeli
Menjëherë pas humbjes së Aleksandër Vuçiçit në zgjedhjet e Beogradit, memet e para që qarkulluan në Tiranë e paraqisnin Edi Ramën si shumë të dëshpëruar. Instikti i autorëve të tyre kishte kapur anën e dukshme të marrëdhënies mes dy njerëzve të fortë të Ballkanit, por ndoshta jo thelbin e saj. Rama dhe Vuçiç nuk e kanë dashur kurrë njëri-tjetrin. Përkundrazi, janë urryer në heshtje. Dy personalitete kaq të ngjashme, siç i ngjan pema pemës nga një pyll në tjetrin, nuk kanë asnjë shans të pëlqehen. Bashkë i ka mbajtur interesi. Në dymbëdhjetë vitet e fundit të marrëdhënies së tyre, së bashku kanë qenë shumë më tepër sesa do të ishin veç e veç. Kanë qenë dy kuaj që kanë tërhequr karrocën e pushtetit të njëri-tjetrit, duke parë secili interesin e vet. Dy binjakë që kanë ndarë të njëjtën dashuri të pakufi për pushtetin.
Vetëm duke i parë si një binom interesi mund të kuptohet jo vetëm jetëgjatësia e tyre politike në Tiranë e Beograd, por edhe simbioza dhe kimia e pazakontë e dy drejtuesve të fortë me ndikim absolut jo vetëm në vendet e tyre, por edhe në gjithë Ballkanin. Me gjasë, me ndikim edhe në formësimin e një qasjeje të re e jotradicionale që Perëndimi ka pasur për rajonin. Rama dhe Vuçiç ishin si aspirina për dhimbjen e kokës së Perëndimit sa herë që duhej të merrej me kokëfortësinë ballkanase, ku çdo gur i historisë së saj ndërtonte mur izolimi mes kombeve të tij. Ata as shpjegohen dhe as mund të kuptohen vetëm nga psikologjia politike, nga historia politike dhe nga lojërat e rrethanave; portreti i tyre del në dritë vetëm nëse mbi ta hidhet dritë me veglat fantastike të letërsisë. Letërsia politike dhe psikologjia u japin të dyve një kostum pothuajse të përbashkët në ngjyrë, formë e model.
Dy evropianët “part time” të Ballkanit
Të dy liderët, Vuçiç i sapohumbur dhe Rama nën presion për të ikur, ndajnë të njëjtin narcizizëm të thellë vetjak e politik. Të dy e trajtojnë veten si dhurata mesianike që një fat hyjnor ua ka dhuruar reciprokisht Shqipërisë dhe Serbisë. I pari, si shpëtimtari i sakrifikuar, që nuk fle, që as nuk bën pushime në bregdet për hir të vendit të tij pa dalje në det e të rrethuar nga armiq, dhe i dyti, si oferta e vetme për ta bërë Shqipërinë një oaz estetik e evropian. Të dy e kanë identifikuar veten me shtetin dhe gjithë institucionet e tij; të dy vetëkonsiderohen si njëshat e pagabueshëm, ku gjithë të tjerët vetëm duhet të binden dhe të ndjekin vizionin dhe ëndrrën e tyre. Që e cilësojnë veten si shpresë e vetme për të ardhmen skenografike; një shpresë që mund të realizohej vetëm duke vijuar ata vetë të qëndrojnë në pushtet.
Të dy liderët ballkanikë janë të obsesionuar nga nevoja për kontroll. E bëjnë këtë në mënyrë kapilare, duke përqendruar e centralizuar pushtetin në një dorë nga një anë dhe duke qenë gjithmonë e më intolerantë ndaj kritikave. Qoftë nga ato që u vijnë nga opozita, shoqëria civile apo edhe media tradicionale dhe rrjetet sociale, qoftë kur ato vijnë nga rruga. Duke mbyllur këtë derë të ndikimit të jashtëm mbi vullnetin e tyre, bashkarisht, me një simetri më së paku të çuditshme, çuditërisht fleksibël në ekstrem, të dy ata nuk janë peng as i të shkuarës së tyre dhe as i qëndrimeve që kanë mbajtur në kohë.
Ish-anarkisti Rama, ideolog i ekstremit të djathtë, por pa traditë shqiptare, ka lëvizur në një spektër jashtëzakonisht të gjerë. Ka lëvizur që nga nevoja për “të varur komunistët në litar” në fillim të viteve ’90 dhe nevoja për çlirim nga pengmarrja shpirtërore që i kishin bërë shoqërisë “brekët e Violeta Manushit”, deri te shndërrimi në një baba të të varfërve të shumtë e fatkeq të Shqipërisë. Për t’u rikthyer sërish, në mënyrë më moderne, te vetemërimi si CEO i përgjithshëm i një grushti biznesesh VIP në vend dhe kujdestar e garant i interesave okulte lokale e transnacionale.
Vuçiç e pati të lehtë të bënte një kapërcim të ngjashëm duke zëvendësuar shajakun e ashpër ballkanas të ultranacionalistit dhe ministrit të Milosheviçit, me udhëheqësin proevropian dhe balerinin delikat mes SHBA-së dhe Evropës nga njëra anë dhe Rusisë e Kinës nga ana tjetër. Me një këmbë në krevatin e dashnorit të Perëndimit duke u dukur perëndimor përpara Lindjes ruso-kineze dhe këmbën tjetër në shtratin e bashkëshortes Lindore, duke u dukur lindor përpara Perëndimit, Vuçiç u mirëkuptua si i tillë më së pari nga vetë Rama. Vuçiç është shembulli sesi për një autokrat, përkatësia ideologjike nuk ka asnjë vlerë përpara qëndrimit në pushtet me çdo kush e çmim.
Këtë sfond të përbashkët psikologjik, interesash të përbashkëta dhe ambicjesh reciproke, dy liderët autoritarë të Ballkanit e kanë miksuar në mënyrë fantastike. Egoizmi i tyre i përbashkët dhe nevoja për të qëndruar në pushtet ishin ftesa e parezistueshme për të ndërtuar ura për njëri-tjetrin edhe aty ku logjika normale do të kërkonte ndërtim muresh të përkohshëm. Pragmatizmi i çoi ata në një vëllazëri politike, duke krijuar një marrëdhënie personale që bëhej gjithmonë e më shumë e tillë, sa më shumë prapësoheshin nga çdo rol e ndikim i mundshëm institucionet tradicionale të politikës së jashtme. Në këtë mënyrë ata rritën aksionet e tyre personale. Më pak brenda skenës lokale politike dhe shumë më tepër në arenën ndërkombëtare. Rama e vuri Vuçiçin në vitrinën e serbëve ndryshe, e serbëve të paqes që nuk i urrenin apriori shqiptarët, ndërsa Vuçiç i dha mundësi Ramës të shfaqej si lideri me stof udhëheqësi mbirajonal dhe me një rol që i tejkalonte kufijtë natyralë të vendit ku votohej.
Aleanca e paqes mes njerëzve të luftës
Nëse pranohet si e vërtetë aksioma se “Pa pasur paqe mes shqiptarëve dhe serbëve, Ballkani vetë nuk mund të ketë paqe!”, simbioza Rama–Vuçiç ishte oferta e ëndërruar e Perëndimit. Me zell milingone dhe ngulm blete, ata i dhanë Perëndimit atë që ai donte, zgjidhjen më të lehtë dhe më të drejtpërdrejtë. Ata i dëshmuan Perëndimit se, nëse shqiptarët e serbët gjenin udhëheqësit e duhur – dhe me këtë nënkuptonin njëri-tjetrin – Ballkani mund të kishte një të nesërme të ndryshme nga ajo që sugjeronte historia e afërt dhe e largët e rajonit. Kjo dhe vetëm kjo ka qenë arsyeja kryesore që të dy së bashku kanë qenë për një periudhë të gjatë të preferuarit e Perëndimit. Kjo dhe vetëm kjo ka qenë arsyeja që stabiliteti lokal dhe ai rajonal bënte të mundur shkeljen e syrit dhe refuzimin për të parë shkeljet, rrënimin dhe cënimin gradual e të pandalshëm të standardeve demokratike në Shqipëri e Serbi. Duke krijuar një ekuilibër të ri mes tyre, jo të drejtë, jo të përputhshëm me frymën e Perëndimit dhe në dëm të demokracisë lokale deri në kufijtë e autokracisë elektorale dhe demokracisë hibride.
Vuçiç i humbi zgjedhjet dhe doli në opozitë pas 14 vjetësh në pushtet. I vënë prej gati dy vitesh nën presion nga protestat, autokrati i Beogradit nuk mundi të mbijetojë më gjatë. Nuk dihet roli që ka pasur faktori ndërkombëtar në këtë disfatë. Vetë Vuçiç ka akuzuar shtetet evropiane dhe Deep State në SHBA për rrëzimin e tij. Në fakt zgjedhjet ishin një referendum i gjerë popullor kundër korrupsionit endemik dhe vetë Vuçiçit. Njëlloj siç kishte ndodhur më parë në Hungari me një tjetër autokrat jetëgjatë.
Rënia e Vuçiç dhe e ardhmja e Ramës
Rama ka të paktën pesë muaj, që kur nisën protestat kundër tij në Tiranë, të shndërruara në të dhunshme tani në tetor, që e sheh veten në qendër të një konspiracioni ndërkombëtar. Në listën e armiqve të tij ai rreshton që nga armiqtë e presidentit Trump në Amerikë e deri te armiqtë iranianë e rusë të Amerikës. Një pretendim i paverifikuar ky, por që është një nga shenjat e shumta që dëshmon se Rama ka humbur magjinë e tij kontraverse me të cilën shihej në Perëndim. I përkëdheluri i medias ndërkombëtare që kishte krijuar një klishe dembele për ish-basketbollistin gallatë dhe piktorin më të mirë mes gjithë kryeministrave të botës, tashmë është shndërruar në tragetin e sulmit të preferuar pikërisht prej tyre. Rënia e Vuçiç për Ramën tani është si rënia e temperaturës trupore te një njeri që e ka të domosdoshëm vrapin.
Rama nuk ka qenë kurrë argati i Beogradit, siç e akuzon Berisha. Përkundrazi! Vuçiç ka lëruar me ëndje, dëshirë dhe pasion ngastrën e pushtetit të Ramës në Tiranë, por për interesin e tij vetjak. Dhe në këmbim, Rama ka bërë të njëjtën gjë për Vuçiçin në Beograd. Të dy së bashku janë dy kuajt atipikë që kanë tërhequr të njëjtën pendë pushteti. Tani që kali serb u rrëzua, Ramës i duhet shumë më shumë mund për të tërhequr i vetëm karrocën e tij. Ka kundër rrethanat, lodhjen, të përpjetën e mandatit të katërt dhe një popull të zemëruar nga korrupsioni endemik e varfëria që kërkon revansh me gurë bulevardi. Sa do të zgjasë? Paradoksalisht këtë gjë e ka në dorë vetë Rama. Që ndoshta kënga fantastike e sirenave të pushtetit nuk e lë të dëgjojë këmbanat e alarmit që bien me ritmin e diktuar nga filozofia e fshatarit të hershëm tirons:
Mos e ndaj pazarit të parë!
Burimi: kohajone.com










