Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se drejtësia në vend shpesh ka qëndruar në anën e më të fortëve. Ai vlerësoi se vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës tregon për një zinxhir lëshimesh nga institucionet, pavarësisht paralajmërimeve të mëparshme që, sipas tij, mbetën pa përgjigje. Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti njoftoi se ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme një raport të hollësishëm për lëshimet në çdo hallkë institucionale.
Afati për raportet dhe reagimi i Qeverisë
Kryeministri bëri me dije se raportet priten deri nesër para orës 18:00 dhe shtoi se ato do të bëhen publike. Ai theksoi se përmirësimi i drejtësisë në Kosovë përbën urgjencë kombëtare.
“Sot bëhen tri ditë nga vrasja e rëndë e Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës. Ajo u vra para shtëpisë nga kunati. Mbrëmë vonë u arrestua edhe autori që ishte në arrati. Çdo vrasje është vepër e rëndë, por rëndohet edhe më shumë kur shihet qartë se ka pasur një zinxhir lëshimesh sistematike nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë. Një vrasje me paralajmërime të tilla që nuk merrnin përgjigje nuk mund të kishte përfundim tjetër. Kjo e bën situatën edhe më të pafalshme. Menjëherë pas informacioneve të para, zëvendëskryeministrja dhe Ministria e Drejtësisë, Donika Gërvalla, si koordinatore kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore, thirri një mbledhje urgjente me të gjitha institucionet relevante të sigurisë dhe të drejtësisë, në nivel qendror e lokal, për të marrë informacione të sakta mbi ngjarjen. Ndërkohë, si Kryeministër, kam kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme një raport të detajuar me evidencat dhe lëshimet në secilën hallkë të institucioneve”, tha ai.
Kritika për funksionimin e drejtësisë
Kreu i Qeverisë njoftoi se raporti duhet të dorëzohet deri nesër në orën 18:00 dhe kritikoi mënyrën se si, sipas tij, funksionon drejtësia në vend.
“Tash, ndërsa po flasim, kanë mbetur edhe 34 orë për hartimin dhe dorëzimin e atij raporti, të cilin sigurisht do ta ndajmë me publikun. Nesër në mbrëmje, para orës 18:00, i pres raportet. Të dashur qytetarë, drejtësia nuk ka lindur vetvetiu. Ajo u shfaq si domosdoshmëri kundër padrejtësisë që lindi në botën e pabarazisë. Drejtësia është garancia që i forti nuk do ta dëmtojë të dobëtin vetëm pse ky i fundit është i tillë. Por në Kosovën tonë, dhe ndoshta jo vetëm në Kosovë, drejtësia fatkeqësisht nuk është në mbrojtje të të dobëtit; përkundrazi, ajo shpesh ka qëndruar në anën e të fortit. Drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë disi e shtrembër. Dhe nuk mund të jetë ndryshe kur peshoren e zonjës së drejtësisë e kanë anuar nga i fuqishmi dhe i pasuri, duke ia mbyllur njërin sy për të mos parë nga duhet të peshojë drejtësia. Natyrisht, shpata mandej nuk do t’i bjerë kurrë krimit e kriminelëve, por do të bjerë gjithmonë mbi të dobëtin, të varfrin dhe të pafuqishmin. Republika e Kosovës nuk ka më nevojë për asnjë provë për të konstatuar se drejtimi i drejtësisë është urgjencë kombëtare”, tha ai.
Burimi: insajderi.org









