Shqipëria duhet të provojë se është në gjendje të hetojë dhe të gjykojë edhe figurat më të fuqishme të politikës. Njëkohësisht, ajo duhet të tregojë se respekton të drejtat e tyre. Këtu qëndron sfida e vërtetë e drejtësisë: të mos ndikohet nga pushteti dhe të mos e zëvendësojë gjykimin me qëndrim të zgjatur në paraburgim.
Rastet e Metës dhe Veliajt
Çështjet e Ilir Metës dhe Erion Veliajt e vendosin këtë debat në qendër të vëmendjes. Ish-presidenti Meta ndodhet në paraburgim që nga tetori 2024, ndërsa Veliaj që nga shkurti 2025. Deri tani gjykatat kanë refuzuar kërkesat e tyre për ndryshimin e masës së sigurisë, ndërkohë që çështjet kanë kaluar në gjykim. Akuzat duhet të provohen nga prokuroria dhe të vlerësohen nga gjykata. Deri në një vendim përfundimtar fajësie, prezumimi i pafajësisë vlen edhe për ta. Por pyetja që kërkon përgjigje publike është konkrete: çfarë e bën ende të domosdoshëm qëndrimin e secilit në qeli? Përgjigjja duhet të gjendet në arsyetimin individual të vendimeve gjyqësore. Pesha politike e të akuzuarit dhe jehona publike e dosjes nuk e zëvendësojnë këtë arsyetim.
Në rastin e Erion Veliajt, debati për proporcionalitetin e masës ka arritur deri në Gjykatën Kushtetuese. Sipas raportimeve mbi vendimin e saj, Kushtetuesja kërkoi rishqyrtim dhe arsyetim më të plotë nga Gjykata e Lartë. Kjo tregon se pyetjet për paraburgimin janë pjesë e kontrollit kushtetues të drejtësisë, jo thjesht pretendime të mbrojtjes. Mbajtja e mandatit nga Veliaj nuk provon se ai e administron përditë institucionin nga qelia. Raportimet dallojnë statusin e tij juridik si kryebashkiak nga drejtimi praktik i bashkisë. Një Bashki e madhe si Tirana nuk drejtohet dot nga burgu! Aq më tepër se kryeqyteti ka afro 1.2 milionë banorë. Mbajtja në qeli, sipas analistëve, është si “kokë turku”, sikurse edhe për ish-presidentin Meta, për t’i thënë Bashkimit Europian se “drejtësia arreston edhe të fuqishëm”.
Dyshimet për përdorim politik
Mbi këto raste ngrihet edhe një dyshim politik: a po shndërrohen Meta dhe Veliaj në dy emra që i paraqiten Brukselit si dëshmi e luftës kundër korrupsionit?!
Ky është një shqetësim që meriton debat, por nuk ka prova të verifikuara se mbajtja e tyre në burg është kusht i Bashkimit Europian. Ndonëse dyshimet janë reale.
Megjithatë, rreziku i shfrytëzimit politik ekziston. Një qeveri mund të përfitojë propagandistikisht nga arrestimi i një ish-presidenti apo i një kryebashkiaku të dalë nga radhët e saj. Mund t’i paraqesë këto çështje si provë se institucionet veprojnë pa dallim.
Por me këtë rast mundet që Rama-Berisha të kenë qenë në ujdi të fshehtë që “t’ia japim SPAK-ut nga një prej radhëve tona dhe ruajmë edhe veten me këtë rast”. Gjithçka mundet!
Pikërisht për të mos ushqyer dyshime të tilla, drejtësia duhet të flasë me vendime bindëse dhe me procese që ecin. Sa më gjatë zgjat paraburgimi, aq më e fortë bëhet kërkesa publike për një shpjegim të qartë mbi domosdoshmërinë e tij.
Meta dhe Veliaj duhet të përgjigjen për akuzat përpara gjykatës. Institucionet, nga ana e tyre, duhet të përgjigjen për mënyrën se si ua kufizojnë lirinë. Këto dy përgjegjësi nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.
Shqipëria fiton besueshmëri europiane kur provon fajësinë me prova, garanton mbrojtjen dhe jep vendime të arsyetuara. Nëse dy qeli përdoren si reklamë politike për integrimin, publiku ka të drejtë ta kundërshtojë këtë përdorim. Liria e njeriut nuk mund të bëhet monedhë propagande, ndërsa integrimi europian nuk mund të matet me numrin e politikanëve në paraburgim, pavarësisht se pas arrestimit të Ilir Metës dhe Erion Veliajt, qeveria shqiptare e luajti kartën e ndëshkimit nga drejtësia të të “paprekshmëve”. Por duhet pranuar se edhe BE i ka tundur këto arrestime se në Shqipëri luftohet korrupsioni!
Burimi: kohajone.com










