Barazimi i jashtëzakonshëm 3-3 mes Napolit dhe Romës ndezi një reagim të ashpër te Massimiliano Allegri. Tekniku italian akuzoi kryeqytetasit se sezonin e kaluar përfituan një vend në Ligën e Kampionëve, ndërsa pasojat e dështimit i pagoi ai te Milani.
Gjatë ndeshjes së luajtur në stadiumin “Diego Armando Maradona”, Allegri u pa qartësisht i tensionuar dhe në minutat shtesë u përjashtua nga zona teknike për shkak të protestave ndaj gjyqtarit. Tensioni nuk u qetësua as pas fishkëllimës së fundit.
Përballë kamerave të DAZN Italia, trajneri deklaroi se nuk ishte në gjendje ta analizonte takimin.
“Për herë të parë pas 25 vjetësh, nuk jam në gjendje t’ju jap përgjigje të qarta për ndeshjen. Prandaj, më vjen keq, por ju uroj natën e mirë”.
Allegri në sallën e konferencave
Sipas raportimeve të mediave italiane, mes tyre edhe “Corriere dello Sport”, Allegri më pas shkoi i irrituar në sallën e konferencave për shtyp. Atje u dëgjua duke iu folur me tone të ashpra pjesëtarëve të stafit të Napolit.
“Sezonin e kaluar ia futën Ligën e Kampionëve në xhep Romës. Gjithmonë ata… Unë e pagova çmimin te Milani”, raportohet të ketë thënë trajneri italian.
Fjalët e Allegrit lidhen me mbylljen e sezonit të kaluar, kur Roma dhe Como u renditën përpara Milanit në garën për katër pozicionet e para. Si pasojë, skuadra kuqezi mbeti jashtë Ligës së Kampionëve.
Vetëm 24 orë pas përfundimit të sezonit, Milani vendosi ta shkarkonte Allegrin. Kjo bëri që ai ta konsideronte veten të prekur drejtpërdrejt nga dështimi për sigurimin e një vendi në kompeticionin më prestigjioz evropian për klube.
Pritet reagimi i Gasperinit
Nuk dihet ende nëse Gian Piero Gasperini, trajneri i Romës, do t’u përgjigjet këtyre akuzave. Dy teknikët kanë marrëdhënie miqësore dhe para ndeshjes së së shtunës u përshëndetën ngrohtësisht, ndaj një reagim i mundshëm nga Gasperini do ta bënte situatën edhe më interesante.
Burimi: www.albeu.com









