Një shtetas 23-vjeçar, i identifikuar me pseudonimin “Shqiptari”, së bashku me dhjetë persona të tjerë nga zona e Lionit, po përballen me gjyqin në qytetin francez të Bourges, me akuzën për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të tre të miturve në mars të vitit 2023. Sipas burimeve mediatike franceze, dyshohet se shkak për këtë ngjarje ka qenë një borxh prej 7 mijë eurosh që lidhet me trafikun e drogës.
I riu 23-vjeçar, për të cilin pretendohet se udhëhiqte një grup të quajtur “Klani i lionasve”, akuzohet se ka koordinuar veprimet bashkë me dhjetë persona të tjerë, të moshës 22 deri në 28 vjeç. Gjyqi ka filluar më 27 tetor në gjykatën penale të Bourges, ku do të analizohet roli i secilit prej të pandehurve.
Rrëmbimi i të miturve në Bourges
Sipas raportimeve të ****, më 2 mars 2023, 23-vjeçari dhe dy bashkëpunëtorë të dyshuar shkuan në Bourges me një makinë të tipit “Renault Clio”, ku morën me vete një 15-vjeçar të quajtur Kenzo. Pasi e çuan në rajonin e Lionit, i mituri u kthye përsëri në Bourges.
Ngjarja u rëndua më tej në natën mes 3 dhe 4 marsit, kur një grup prej 11 personash, të ndarë në tri automjete, u kthye në qytet. Sipas akuzave, ata hynë me forcë në një apartament, ku kapën dy të mitur, i sulmuan fizikisht dhe i vendosën në bagazhet e dy makinave, për t’i transportuar më pas drejt Lionit.
Të dy të miturit u dërguan në një dhomë hoteli të zinxhirit “Formule 1”, në rajonin e Lionit, sipas raportimeve të mediave franceze.
Periudha e ngjarjeve dhe gjykata kompetente
Ngjarjet për të cilat akuzohen të pandehurit kanë ndodhur gjatë periudhës 2–9 mars 2023. Sipas raportimeve, çështja nuk do të shqyrtohet nga gjykata e krimeve të rënda, por nga gjykata penale e Bourges.
Procesi pritet të zgjasë pesë ditë dhe ka për qëllim të përcaktojë përgjegjësitë individuale të 11 të pandehurve për rrëmbimin, mbajtjen peng dhe privimin e paligjshëm të lirisë së tre të miturve.
Burimi: shqiptarja.com










