Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

I riu italian pranon vrasjen e shqiptarit dhe fshehjen e trupit në pus

I riu italian pranon vrasjen e shqiptarit dhe fshehjen e trupit në pus
Foto: euronews.al

Denaldo Maxhallaku, një shqiptar 31-vjeçar që jetonte në Gatteo të Italisë dhe punonte si bojaxhi, është gjetur pa shenja jete në fundin e një pusete betoni për kullimin e ujërave, në zonën e Felloniche, në Longiano, përgjatë rrugës Fondovalle Rubicone. Sipas medias italiane Il Resto del Carlino, i riu kishte humbur gjurmët që nga mbrëmja e 8 tetorit, kur ishte larguar nga banesa duke u thënë familjarëve se do të shkonte në një lokal dhe do të kthehej në mbrëmje.

Një 29-vjeçar italian pranon përgjegjësinë

Për këtë vrasje është ndaluar një shtetas italian 29-vjeçar, banues në Longiano, i cili, sipas raportimeve, ka pranuar përgjegjësinë gjatë marrjes në pyetje nga karabinierët. “Isha unë”, mësohet të ketë deklaruar ai.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit, viktima dhe i dyshuari ishin takuar mbrëmjen e zhdukjes në banesën e 29-vjeçarit. Aty, një debat mes tyre dyshohet se ka përfunduar në përplasje të dhunshme. Sipas medias italiane, shkak i konfliktit ishte një borxh i konsiderueshëm që i dyshuari kishte për drogë.

Gjatë marrjes në pyetje, 29-vjeçari ka pretenduar se ndihej i kërcënuar dhe kishte frikë për veten dhe familjen e tij. “Kisha frikë për veten dhe familjen time, u ndjeva i kërcënuar”, mësohet të ketë thënë ai, duke shpjeguar se kishte humbur kontrollin e situatës.

Fshehja e trupit dhe hetimet

Sipas të njëjtit raportim, pas vrasjes, i dyshuari e kishte transportuar trupin e shqiptarit dhe e kishte fshehur në pus, pranë zonës së fushave. Më pas, dyshohet se i kishte vënë flakën makinës së viktimës, në përpjekje për të zhdukur gjurmët.

Hetuesit kishin arritur te 29-vjeçari pasi kishin analizuar të dhënat e komunikimeve telefonike dhe kishin konstatuar se ai ishte personi i fundit që kishte pasur kontakte me Maxhallakun.

I dyshuari mbahej në kazermën e karabinierëve në Savignano dhe pritej të transferohej në burgun e Forlit, në pritje të seancës për vleftësimin e ndalimit. Ndërkohë, të shtunën pritej të caktohej eksperti për kryerjen e autopsisë.

Bashkëshortja e Denaldo Maxhallakut, e cila po asistohet nga avokati Raffaele Pacifico, ka rrëfyer dhimbjen për humbjen e tij. Ajo tha se bashkëshorti ishte larguar nga shtëpia më 8 tetor duke u thënë se do të shkonte në lokal dhe do të kthehej në mbrëmje.

“Ai ishte një bashkëshort i pranishëm, një baba i kujdesshëm, e donte shumë vajzën tonë vetëm një vjeçe dhe ishte një punëtor i palodhur”, është shprehur ajo, sipas medias italiane.

Gjendet një trup në një pus, dyshohet se i përket 31-vjeçarit shqiptar të zhdukur më 7 tetor në Itali

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha