Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Ngulfatje financiare, çfarë deklaroi viktima në gjyqin ndaj Zekë Jasiqit

Ngulfatje financiare, çfarë deklaroi viktima në gjyqin ndaj Zekë Jasiqit
Foto: reporteri.al

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vijuar gjykimi ndaj Zekë Jasiqit, i akuzuar për fajde dhe detyrim. Gjatë këtij sesioni, i dëmtuari Faton Dalladaku ka dëshmuar për atë që e përshkroi si “shtrëngim fizik dhe financiar”, si pasojë e ndjekjes dhe presionit të ushtruar nga i akuzuari.

Projekti “Qyteti Italian” dhe transaksionet e pronave

Dalladaku shpjegoi ecurinë e projektit “Qyteti Italian”, i nisur në vitin 2001, ku ai zotëronte 30% të aksioneve, ndërsa partnerët italianë 70%. Pas tërheqjes së këtyre të fundit, sipas tij, punimet u ndalën për t’u rifilluar më vonë me një kompani turke, me të cilën i ndante aksionet përgjysmë. Megjithatë, i dëmtuari deklaroi se në vitin 2012 gjithçka u pezullua sërish për arsye sigurie dhe për shkak të detyrimit nga Jasiqi, me ç’rast kishte mbetur i detyruar t’i linte atij peng 3 nga 6 hektarët e projektit.

Lidhur me transaksionet e pronave, Dalladaku deklaroi se kishte blerë rreth 14 hektarë tokë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) për 300 mijë euro (rreth 214 euro për ar), prej të cilave 7 hektarë ia kishte shitur Jasiqit për 210 mijë euro. Pjesën tjetër të tokës ai e kishte shitur te persona të tretë me çmim prej 700 eurosh për ar, marrëveshje kjo e ndërmjetësuar nga Jasiqi, i cili merrte 100 euro për çdo ar të shitur.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Tahir Rrecaj, prezantoi një marrëveshje të vitit 2010 për blerjen e 6 hektarëve tokë në vlerë prej 360 mijë eurosh mes Dalladakut dhe Jasiqit, duke i kërkuar të dëmtuarit sqarime rreth këtij dokumenti.

Dalladaku pranoi se e përpiloi dhe nënshkroi bashkë me Jasiqin këtë kontratë, ku sipas tij shihet qartazi se Jasiqi tenton ta mashtrojë dhe manipulojë, me qëllim që ta bindë Vllaznim Kelmendin se “kinse e ka paguar tokën me këtë çmim”, pra për ta mashtruar.

“Ky m’ka thanë ti fito, edhe unë fitoj – mos ta merr vesh ai, e ta mashtroj ata, po une s’jam mashtruse”, tha Dalladaku kur u pyet nëse nënshkroi edhe vetë këtë kontratë.

Ai shtoi se ishte instrumentalizuar për qëllime të Jasiqit, në interes të përbashkët.

Transferimi i pronës dhe akuzat e prokurorisë

Tutje, Dalladaku tha se transferimi i pronës së tij (14 hektarësh) ishte bërë te Astrit dhe Arben Krasniqi, përmes një kontrate shitblerjeje të falsifikuar, dhe se emrin e tij e kishte nënshkruar avokati Ilir Ramaj – i cili sipas Dalladakut kishte nënshkruar dhe pranuar mjetet.

Dalladaku tha se avokati Ramaj kishte autorizim sa i përket tokës prej 4 hektarësh, e jo asaj prej 14 hektarësh, dhe se ata kishin marrë me një shitje dy toka. Ai tha se mjetet financiare për ato 4 hektarë i kishte pranuar.

Ai shtoi se me çështjen e 14 hektarëve të tjetërsuar po merret Prokuroria dhe Gjykata.

Sesioni i radhës në këtë gjykim u caktua për në dhjetor.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga Adnan Kamberi – kryetar, Gent Beka dhe Agim Kuçi – anëtarë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 7 shkurt 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, i pandehuri Zekë Jasiqi akuzohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, me kanosje serioze dhe duke përdorur forcë, kishte kërkuar nga i dëmtuari Faton Dalladaku të kryejë veprim në dëm të pasurisë së tij, duke i imponuar një borxh prej 160,000 euro, borxh ky që nuk kishte ekzistuar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Detyrimi” nga neni 340, paragrafi 2 i Kodit Penal.

Po ashtu, i akuzuari Zekë Jasiqi akuzohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit dhe duke mos respektuar marrëveshjen verbale me të dëmtuarin rreth huasë prej 200,000 euro për pagesën e një shtëpie në Hajvali, e ka detyruar të lidhë një marrëveshje të re me të cilën kërkon nga i dëmtuari 360,000 euro me kamatë mujore 1%, me arsyetimin se aq është overdrafti bankar.

Kështu, aktakuza thotë se ai ka kontraktuar një shumë dukshëm joproporcionale dhe paratë janë transferuar në llogari të B.P., ndërsa shtëpia në Hajvali është regjistruar në emër të të akuzuarit. Si rezultat, i dëmtuari ka mbetur pa shtëpi dhe pa shumën e paguar prej 500,000 euro.

Me këtë, i akuzuari Jasiqi ngarkohet me veprën penale “Fajdeja” nga neni 343, paragrafi 3 i Kodit Penal.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha