A do të krijohet një front i përbashkët i opozitës? Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se dera e PD-së ka qenë gjithmonë e hapur për bashkëpunim. Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj, u shpreh se janë të gatshëm për bashkëpunim, por me prioritet studentët. Nga ana e tij, kreu i partisë Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, theksoi se në këtë moment bashkimi i forcave opozitare nuk është i mundur, pasi kodi elektoral nuk e lejon. Ai bëri thirrje për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Qëndrimet e Bardhit dhe Shehajt
Gazment Bardhi: Dera e PD-së ka qenë gjithmonë e hapur. Jemi dakord për një bashkim mes forcave opozitare, patjetër, pavarësisht dallimeve në mendim.
Agron Shehaj: Ne kemi një protestë të madhe dhe është një faktor që është aty, sepse nuk është dëgjuar. Ne jemi gati për bashkim dhe bashkëpunim, por duke pasur prioritet studentët që protestojnë. Ne jemi gati të lëshojmë në bashkëpunim, por jo mbi parimet. Shqipëria ka nevojë që klasa e vjetër politike të largohet dhe Rama të largohet. Nuk mund të kërkoj largimin e Berishës, sepse ai është kryetar i një partie, siç jam unë. Ne duhet të dëgjojmë mendimin e qytetarëve, sepse shqiptarët kanë nevojë për politikanë me integritet.
Pozicioni i Lapajt për Kodin Zgjedhor
Adriatik Lapaj: Mosbashkimi i partive të reja në zgjedhje ka sjellë këtë që po ndodh në Shqipëri sot. Nëse do kishte bashkim të forcave të reja, Rama nuk do të kishte këtë arrogancë, që ka sot, që me kartonë mbron korrupsionin. Jam pro një fronti të madh opozitar kundër sistemit. Sot që ne flasim nuk është e mundur, sepse nuk e lejon ligji elektoral. Por në parim jam dakord. Kodi Zgjedhor që kemi në fuqi nuk lejon as koalicione parazgjedhore.
Burimi: kohajone.com










