Shqiptarët kanë konsumuar tonelata fruta dhe perime me pesticide mbi normën e lejuar.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pranon zyrtarisht se gjatë vitit 2026 janë shitur domate, kastravecë, speca, karota, qershi, pjeshkë, pjepër dhe grurë të rrezikshëm për konsum.
Vetëm një ngarkesë u bllokua nga 28
Institucioni pranon se ka zbuluar 28 raste të fruta-perimeve me mbetje pesticidesh mbi normat e lejuara, por ka bllokuar dhe asgjësuar vetëm 1 prej tyre.
Për 27 ngarkesat e tjera, AKU deklaron se “produkti ka rezultuar i shitur”, duke konfirmuar se tonelata produkte të rrezikshme kanë përfunduar direkt në tryezat e familjeve tona.
Frutat dhe perimet e kontaminuara u shitën pa asnjë pengesë në tregjet e 9 qyteteve më të mëdha në vend: Tiranë, Vlorë, Durrës, Lezhë, Fier, Elbasan, Berat, Shkodër dhe Korçë.
Skandali thellohet nga vetë procedura burokratike e kontrollit. AKU pranon se gjatë kohës që merren mostrat, produkti nuk bllokohet. Ndërsa mostra udhëton dhe analizohet në laboratorët e ISUV-it, i gjithë malli qëndron i lirë në treg.
Kur përgjigja zyrtare konfirmon se domatja, speci apo rrushi ishin të rrezikshëm për shëndetin, qytetarët e kishin konsumuar atë prej ditësh.
Kontrolli në kufi funksionon, ai në tregun vendas jo
I vetmi rast suksesi ishte bllokimi i 3,034 kg nektarinave të importuara nga Greqia në Pikën e Kalimit Kufitar në Kakavijë. Ky rast vërteton se kur kontrolli dhe izolimi bëhen në kufi përpara se malli të hyjë në treg, siguria funksionon.
Ndërsa për tregun vendas, ku produktet nuk bllokohen paraprakisht, shkalla e dështimit të institucionit është 100%.
Ky dokument zyrtar dëshmon se AKU nuk ka parandaluar rrezikun, por thjesht mban statistika për sasinë e pesticideve që shqiptarët kanë konsumuar pa dijeninë e tyre.
Për sa kohë ligji lejon shitjen e produkteve të dyshuara përpara daljes së analizave, konsumatori mbetet i fundit që merr vesh të vërtetën, por i pari që rrezikon jetën.
Statistikat e AKU janë provë e një dështimi total. Nga janari deri në shtator, 27 ngarkesa me fruta-perime të rrezikshme u shitën në 9 qytetet më të mëdha të vendit pa asnjë pengesë. Sasia e sekuestruar nga AKU mbeti në shifrën zero.
Burimi: lajmifundit.al










