Një dekadë pas miratimit të ligjit për Investimet Strategjike, qeveria ka propozuar një kuadër të ri ligjor që synon të bashkojë në një ligj të vetëm trajtimin e investitorëve vendas dhe të huaj, duke ruajtur njëkohësisht mekanizmat dhe përfitimet e ligjit të mëparshëm.
Projektligji “Për Investimet”, i publikuar në platformën e konsultimit publik, shfuqizon ligjin për Investimet Strategjike të vitit 2015 dhe atë për Investimet e Huaja të vitit 1993. Megjithatë, ai nuk heq dorë nga instrumentet që i mundësojnë shtetit të mbështesë projekte private përmes pronave publike, infrastrukturës, lehtësimit të procedurave administrative dhe vënies në dispozicion të brigjeve të detit.
I kritikuar shpesh nga institucionet e BE-së si një ligj që favorizon një grup njerëzish afër qeverisë, ligji për Investimet Strategjike është në fuqi deri në fund të këtij viti. Kjo për shkak se mazhoranca socialiste ka miratuar zgjatjen e efekteve të tij gjashtë herë radhazi që nga viti 2015.
Në relacionin e nismës së re ligjore, qeveria pranon se zbatimi i këtij ligji është shoqëruar me shumë problematika. Ndër to përmenden përqendrimi i investimeve në turizëm, mosrealizimi ose vonesat e projekteve, monitorimi i pamjaftueshëm, mungesa e kritereve transparente dhe e kapaciteteve të qëndrueshme institucionale, si dhe rreziqet fiskale, ligjore e reputacionale që vijnë nga masat e mbështetjes shtetërore.
Në argumentimin e qeverisë pranohet nevoja për kritere më të standardizuara, transparencë, vlerësim të kostove dhe përfitimeve, si dhe monitorim të vazhdueshëm, duke i dhënë përgjigje problematikave të hasura.
Megjithatë, projektligji ruan ose zgjeron një pjesë të rëndësishme të mekanizmave të mbështetjes publike, duke përfshirë përdorimin e pronave shtetërore, ndërhyrjet në infrastrukturë, konsolidimin e pronës dhe të drejtën e përdorimit të brigjeve.
Dispozitat e reja parashikojnë konkurrim publik, analiza kosto–përfitim dhe monitorim, por njëkohësisht parashikojnë edhe përjashtime nga gara, kryesisht për investime në prona private.
Ligji krijon gjithashtu një fond të nxitjes së investimeve, i ngjashëm me fondin për investimet strategjike, ku mund të përfshihen pasuri të paluajtshme shtetërore në zonat me potencial zhvillimi. Këto pasuri mund t’u vihen në dispozicion investimeve të përzgjedhura.
Një strukturë e veçantë shtetërore do të administrojë skemat e mbështetjes për investimet, e ngjashme me Komitetin e Investimeve Strategjike që drejtohej nga kryeministri Edi Rama. Struktura e re do të quhet Komiteti për Nxitjen e Investimeve dhe do të drejtohet nga ministri i Ekonomisë.
Në dispozitat kalimtare të projektligjit parashikohet se çdo investitor strategjik që ka përfituar me ligjin e vjetër do të vijojë të mbështetet me procedurat e miratuara sipas atij ligji.
Kritikat e opozitës dhe ekspertëve
Deputetë të opozitës dhe ekspertë të ekonomisë dyshojnë nëse ligji i ri do t’u japë zgjidhje problematikave të hasura me “investimet strategjike”. Ata paralajmërojnë se miratimi i tij në këtë format do të sjellë sërish probleme me transparencën, monitorimin dhe përdorimin e pronës publike.
Për deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, nisma e re ligjore parashikon ruajtjen e mekanizmave dhe përfitimeve që kanë favorizuar “miqtë e pushtetit”. Sipas saj, ndryshe nga sa premtohet, ajo nuk përmbush standardet e përafrimit me legjislacionin europian në kuadër të procesit të negociatave.
Si deputete dhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Ekonominë, Tabaku thotë se i ka dërguar institucioneve ndërkombëtare kundërshtimet në një analizë të dispozitave ligjore që propozohen, duke i krahasuar me legjislacionin që mbështet investimet strategjike.
Dokumenti analitik që Tabaku i vuri në dispozicion BIRN sugjeron se “nuk ka asnjë ndryshim në thelb nga ligji që është sot”, përveç ndryshimit të terminologjisë.
“Me ligjin e ri i quajnë ‘Zona të Zhvillimit Prioritar’ në vend të emërtimit ‘Investime strategjike’, ndërsa përfituesit marrin pronat publike, asetet, marrin statusin e veçantë të trajtimit, marrin uljen e taksave dhe çdo favor që kanë përfituesit e investimeve strategjike sot,” argumenton Tabaku.
Sipas saj, dispozitat e reja nuk e mbyllin regjimin e investimeve strategjike, por e riorganizojnë atë dhe ruajnë zbatimin e ligjit të vjetër për investitorët strategjikë aktualë dhe ata që kanë aplikuar përpara hyrjes në fuqi të ligjit të ri.
Sipas analizës, projektligji krijon dy rrugë për mbështetjen e investitorëve: konkurrimin publik për pronat shtetërore dhe miratimin pa konkurrim të projekteve që zhvillohen mbi prona private.
Një nga shqetësimet kryesore të Tabakut lidhet me projektet mbi pronë private, të cilat mund të marrin mbështetje shtetërore pa një garë me investitorë të tjerë dhe pa pragje minimale investimi apo punësimi të përcaktuara në ligj. Përveç lehtësive administrative, këto projekte mund të përfitojnë infrastrukturë publike, konsolidim të pronës dhe të drejtën e përdorimit të brigjeve detare.
Një tjetër problematikë që ajo veçon në nismën e re është përdorimi i brigjeve pa afat dhe mungesa e pasojave të qarta kur investitorët nuk përmbushin angazhimet.
Në përfundim, analiza e Tabakut vë në dukje se nisma ligjore ka përmirësime që lidhen me konkurrimin publik për pronat shtetërore, vlerësimin paraprak të ndihmës shtetërore, analizën kosto-përfitim, deklarimin e pronarëve përfitues dhe publikimin e vendimeve.
Megjithatë, sipas saj, këto garanci rrezikojnë të mbeten të kufizuara për sa kohë që vendimmarrja për përfitimet përqendrohet te një komitet ministrash, disa rrugë mbështetjeje përjashtohen nga konkurrimi dhe mungojnë mekanizmat e qartë të llogaridhënies.
Vlerësimi i ekspertit të ekonomisë
Edhe për ekspertin e ekonomisë, Eduart Gjokutaj, drejtues i organizatës ALTAX, drafti i ri për Investimet ruan mekanizmat kryesorë të favoreve për investitorët. Sipas tij, efektiviteti i zbatimit të tij do të varet nga kriteret e përzgjedhjes, vlerësimi ekonomik i përfitimeve, monitorimi dhe llogaridhënia.
Sipas Gjokutajt, projektligji i ri “ndryshon formën e mbështetjes ndaj investitorëve, por ruan në thelb pjesën më të madhe të mekanizmave dhe favoreve të parashikuara nga Ligji nr. 55/2015 Për Investimet Strategjike”.
Sipas Gjokutajt, statusi individual i investitorit strategjik zëvendësohet nga klasifikimi i zonave me potencial zhvillimi, procedurat konkurruese dhe vendimmarrja e Komitetit të Nxitjes së Investimeve. Prova reale e zbatimit të reformës do të varet nga “integriteti me të cilin do të administrohen këto asete publike”.
Ai vlerëson se për herë të parë parashikohet shqyrtimi paraprak i investimeve të huaja, si një instrument për mbrojtjen e interesave strategjike të vendit. Megjithatë, “projektligji vijon të garantojë lehtësimin e aksesit në pronën publike, përdorimin e brigjeve, sigurimin e infrastrukturës mbështetëse dhe pjesëmarrjen e shtetit në investime”.
Në këtë kontekst, ndryshimi sipas Gjokutajt mbetet më shumë institucional dhe procedural sesa thelbësor, pasi “favorizimi i investimeve riorganizohet, ndërsa hapësira e diskrecionit administrativ mbetet e konsiderueshme dhe e varur nga aktet nënligjore”.
Rrjedhimisht, sipas tij, problemi kryesor i kuadrit të ri ligjor mbetet garantimi i transparencës, konkurrencës reale dhe mbrojtjes së vlerës së aseteve publike.
“Për sa kohë që këto mekanizma nuk janë të qarta, sfidat që lidhen me ndarjen e pabarabartë të përfitimeve, pasigurinë e pronësisë dhe përqendrimin e investimeve vetëm në turizëm e pasuri të paluajtshme do të mbeten ende të pranishme,” përfundoi Gjokutaj.
Burimi: www.reporter.al










