TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot rregullat, kriteret dhe mekanizmat e kontrollit për dhënien e shtetësisë shqiptare përmes natyralizimit për arsye të veçanta me interes shtetëror, si edhe mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë Shtetërore të Posaçme të Shtetësisë.
Sipas vendimit, të huajt mund të paraqesin kërkesë kur cilësitë, aftësitë ose aktiviteti i tyre privat apo publik përputhet me një nevojë konkrete dhe sjell përfitim, inovacion ose përparësi për shtetin shqiptar.
Kriteret e interesit shtetëror
Vendimi parashikon që interesi shtetëror duhet të jetë konkret, i përcaktuar qartë, i verifikueshëm dhe i lidhur me politika specifike të dokumentuara e të miratuara. Vlerësimi i tij kryhet nga ministria që mbulon fushën përkatëse.
Kërkesa për njohjen e këtij interesi dorëzohet pranë ministrisë përgjegjëse nga vetë aplikanti ose nga institucione e organizata kulturore, arsimore, sportive, shkencore apo ekonomike që bashkëpunojnë me të, pasi kanë marrë pëlqimin e tij me shkrim.
Pasi lëshohet deklarata e ministrit për njohjen e interesit shtetëror, kërkesa për shtetësi duhet të paraqitet brenda pesë ditëve kalendarike pranë Agjencisë Shtetërore të Posaçme të Shtetësisë.
Verifikimi dhe procedura e dhënies së shtetësisë
Agjencia verifikon dokumentacionin, të dhënat penale dhe nëse aplikanti është subjekt i masave shtrënguese ndërkombëtare të pranuara nga Shqipëria.
Për kontrollin e sigurisë kombëtare, të rendit publik dhe të pastërtisë së figurës angazhohen Shërbimi Informativ i Shtetit dhe Policia e Shtetit, të cilat duhet të përgjigjen brenda 20 ditëve kalendarike.
Gjithashtu, brenda 30 ditëve kalendarike nga marrja e kërkesës, Agjencia i paraqet ministrit përgjegjës për punët e brendshme relacionin me rekomandimin për propozimin e dhënies së shtetësisë ose për mbylljen e praktikës.
Propozimi i përcillet Presidentit të Republikës, i cili dekreton dhënien e shtetësisë ose e kthen dosjen pa veprim për mbyllje dhe arkivim.
Vendimi parashikon që aplikimi nuk krijon të drejtë individuale për marrjen e shtetësisë. Deklarimi i të dhënave të rreme sjell përgjegjësi penale dhe përbën shkak për ndërprerjen e procedurës ose heqjen e shtetësisë së dhënë.
Agjencia Shtetërore e Posaçme e Shtetësisë funksionon si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për Punët e Brendshme, me seli në Tiranë. Drejtori i përgjithshëm emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.
/m.m/a.f/
Burimi: ata.gov.al









