TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë ndryshimesh në rregullat për zhvillimin e zonave aeroportuale, të cilat përcaktojnë detyrimet për konsultim me Autoritetin e Aviacionit Civil.
Konsultimi me Autoritetin e Aviacionit Civil
Sipas vendimit, autoriteti përgjegjës për planifikimin e territorit do të kërkojë mendimin e AAC-së gjatë përgatitjes së dokumenteve të planifikimit që përfshijnë objekte, struktura ose instalime brenda zonave të mbrojtura të aeroportit.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas rastit, të njoftojnë Autoritetin e Aviacionit Civil për çdo objekt me lartësi mbi 30 metra në këto zona, pas lëshimit të lejes së ndërtimit.
Njoftimi për aktivitete që tërheqin botën shtazore
Njoftimi pranë AAC-së do të kërkohet edhe për zhvillimin, ndërtimin ose përdorimin e pasurive të paluajtshme brenda zonave të mbrojtura të aeroporteve për aktivitete që mund të tërheqin botën shtazore. Ky njoftim do të bëhet pas lëshimit të lejes së ndërtimit nga autoriteti përgjegjës.
Ndryshimet janë miratuar me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
/e.i/a.f/
Burimi: ata.gov.al









