TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që përcakton në mënyrë të plotë fushën e përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Administratës Publike. Në bazë të këtij akti, misioni kryesor i këtij dikasteri vazhdon të jetë “zhvillimi i një administrate publike profesionale, të bazuar në meritë dhe të orientuar drejt rezultateve”, si edhe “përmirësimi i cilësisë dhe aksesit në shërbimet publike, forcimi i pjesëmarrjes qytetare, transparencës dhe llogaridhënies”.
Misioni dhe përgjegjësitë e Ministrisë
Në përputhje me vendimin, misioni i kësaj ministrie është zhvillimi i një administrate publike profesionale, të bazuar në meritë dhe të orientuar drejt rezultateve, si dhe përmirësimi i cilësisë dhe aksesit në shërbimet publike.
Ministria do të jetë përgjegjëse për hartimin dhe bashkërendimin e politikave për organizimin, funksionimin dhe modernizimin e institucioneve të administratës publike, si dhe për menaxhimin e burimeve njerëzore, duke përfshirë rekrutimin mbi bazën e meritës, zhvillimin e karrierës, vlerësimin e rezultateve në punë dhe formimin profesional.
Një fushë tjetër përgjegjësie ka të bëjë me politikat e pagave, trajtimet e tjera financiare dhe përfitimet e të punësuarve në institucionet e administratës publike. Ministria do të hartojë gjithashtu rregulla dhe metodologji për vlerësimin e performancës institucionale dhe do të monitorojë zbatimin e tyre.
Vendimi parashikon edhe monitorimin e standardeve të shërbimeve publike, duke përfshirë cilësinë, afatet, aksesin, informimin dhe përvojën e qytetarëve. Po ashtu, ministria do të koordinojë politikat për thjeshtimin e procedurave administrative dhe reduktimin e barrës për qytetarët.
Në kompetencat e saj përfshihen garantimi i pjesëmarrjes së qytetarëve në procedurat administrative vendimmarrëse, rritja e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së administratës shtetërore, si dhe nxitja e ndërveprimit mes institucioneve publike, individëve dhe grupeve të interesit.
Roli në luftën kundër korrupsionit
Sa i përket luftës kundër korrupsionit, ministria do të drejtojë dhe bashkërendojë hartimin e politikave dhe akteve ligjore e nënligjore për parandalimin e tij, duke përfshirë identifikimin, vlerësimin dhe minimizimin e rreziqeve në sektorët me risk.
Sipas vendimit, ministri përgjegjës për administratën publike do të ushtrojë edhe rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, si dhe do të jetë bashkëdrejtues i Komitetit Shumëpalësh të Partneritetit për Qeverisje të Hapur.
Ministria do t’i ushtrojë funksionet e bashkërendimit dhe monitorimit në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet përgjegjëse, duke respektuar kompetencat e tyre, pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe autonominë e njësive të vetëqeverisjes vendore.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
/e.i/r.e/a.f/
Burimi: ata.gov.al









