Glauk Konjufca, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, njoftoi se është mbajtur mbledhja konstituive e Grupit Punues, i cili do të përgatisë Strategjinë Shtetërore për procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas Konjufcës, institucionet e Kosovës do të ofrojnë mbështetje të plotë për ish-drejtuesit e UÇK-së gjatë procesit të apelit. Ai paralajmëroi koordinim institucional për mbrojtjen e së vërtetës së luftës çlirimtare dhe kundërshtimin e përpjekjeve për ta shtrembëruar atë, raporton “Bota sot”.
Reagimi i plotë
Deklarata e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e miratuar më 28 shtator, dëshmoi vullnetin tonë të përbashkët për të kundërshtuar aktgjykimin e padrejtë ndaj krerëve të UÇK-së dhe për të mbrojtur të vërtetën e luftës sonë çlirimtare. Në zbatim të kësaj deklarate dhe të vendimit të Qeverisë të datës 14 tetor, sot drejtova mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore për procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Gjatë takimit shqyrtuam boshtet kryesore të strategjisë, ndamë përgjegjësitë për hartimin e saj dhe miratuam planin e përgjithshëm të punës. Synimi ynë është që krerët e luftës çlirimtare të kenë përkrahjen e plotë të shtetit të Kosovës në procesin e apelit. Njëkohësisht, do ta mbrojmë me vendosmëri të vërtetën e kësaj lufte në arenën ndërkombëtare dhe do të kundërshtojmë çdo tentim për ta shtrembëruar.
UÇK-ja është faktor bashkimi për të gjithë, përtej dallimeve, pasi lufta e saj çlirimtare është në themel të lirisë dhe shtetit tonë. Përballë kësaj beteje, institucionet e Republikës dhe forcat politike kanë përgjegjësi të qëndrojnë së bashku, me përkushtimin dhe vendosmërinë që kërkon mbrojtja e një të drejte historike të popullit tonë.
Burimi: www.albeu.com









