Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj projektvendimit qeveritar që parashikon rritjen e TVSH-së për shërbimet e akomodimit nga 6% në 10%.
Kundërshtimi i ATA-s ndaj rritjes së TVSH-së
Sipas ATA-s, ky vendim është marrë pa asnjë konsultë me palët e interesuara dhe pa një vlerësim të thelluar të ndikimit, duke përbërë kështu një goditje të drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar në rajon.
“Kjo masë vjen në një moment delikat, kur bizneset formale të sektorit po përballen me vështirësi të mëdha mbijetese, të shkaktuara nga rënia e ndjeshme e euros me 40%, e cila ka dëmtuar rëndë të ardhurat nga turistët e huaj; dyfishimi i pagave në sektor për të mbajtur fuqinë punëtore; rritja e çmimeve të lëndëve të para si pasojë e krizave globale”, thuhet në reagimin për shtyp.
Sipas ATA-s, pritshmëritë dhe rritja historike e turizmit shqiptar, ku numri i vizitorëve u rrit nga 6 milionë në 12,6 milionë, duke e çuar kontributin e sektorit në 1/4 e PPB-së dhe 44% të eksporteve, ka qenë pikërisht produkt i shkallës së reduktuar të TVSH-së prej 6%.
“Duhet rikujtuar se zbatimi i TVSH-së 6% nuk ishte një dhuratë, por rezultat i një rruge të gjatë avokimi nga Shoqata jonë, e cila bindi FMN-në dhe Qeverinë Shqiptare. Zgjidhja nuk është taksimi i biznesit formal, por formalizimi i tregut. Në vend që të ndëshkohen sipërmarrjet që paguajnë rregullisht taksat, vëmendja e qeverisë duhet të orientohet drejt informalitetit”, thuhet në reagimin e ATA.
Struktura e akomodimit dhe informaliteti në sektor
Shoqata Shqiptare e Turizmit kujtoi se sot 78% e kapaciteteve akomoduese në Shqipëri përbëhen nga apartamente me qira ditore që operojnë kryesisht në informalitet, ndërsa vetëm 22% janë hotele.
“Shqipëria posedon vetëm 1% hotele me 4-5 yje, ndërsa vendet e rajonit si Mali i Zi dhe Kroacia numërojnë 7% deri në 10%. Statistikat zyrtare të INSTAT tregojnë se me 12,4 milionë turistë raportohen vetëm 10 milionë netë fjetje. Për krahasim, Mali i Zi me 2,7 milionë turistë raporton 15,6 milionë netë fjetje, ndërsa Kroacia kalon 110 milionë netë fjetje me 21 milionë turistë. Këto shifra dëshmojnë qartë se zgjidhja për rritjen e të ardhurave në buxhet nuk është rritja e taksave mbi sipërmarrësit e ndershëm, por formalizimi i tregut të pakontrolluar”, shprehet ATA.
Shoqata Shqiptare e Turizmit i bën thirrje Qeverisë të pezullojë projektvendimin për rritjen e TVSH-së në akomodim, si dhe të nisë pa vonesë një proces gjithëpërfshirës konsultimi me grupet e interesit dhe me përfaqësuesit e sektorit.
Po ashtu ATA kërkon që të përqendrojë të gjitha kapacitetet në luftën kundër informalitetit për të krijuar një treg me konkurrencë të ndershme.
“Rritja e kësaj takse do të na bëjë të humbasim tregun rajonal dhe të dëmtojmë me duart tona motorin kryesor të ekonomisë shqiptare”, thuhet në njoftimin për shtyp./atsh/KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










