Kthehet në muzeun e artit me një ekspozitë që shkakton dridhje dhe hutim. Artisti i mirënjohur gjerman Gregor Schneider ka çelur ekspozitën e tij më të re me titull “Haus ur 2026” në muzeun e artit Kunsthalle Düsseldorf, ku vizitorët përballen me një labirint dhomash që vënë në provë ndjenjën e normalitetit dhe ngjallin gradualisht një frikë të heshtur.
Gregor Schneider dhe projekti “Haus ur”
Schneider, i cili u bë i njohur ndërkombëtarisht në vitin 2001 kur fitoi “Luanin e Artë” në Bienalen e Venecias me instalacionin e tij “Totes Haus ur”, vazhdon të mbetet një nga figurat më të veçanta të artit bashkëkohor. Ndryshe nga shumë artistë të tjerë të famshëm që zgjedhin metropole si Berlini apo Nju Jorku, ai vazhdon të jetojë në qytetin e tij të lindjes, Mönchengladbach-Rheydt. Në këtë qytet ai ka blerë edhe shtëpinë ku ka lindur Joseph Goebbels, për të parandaluar kalimin e saj në duart e neo-nazistëve, një projekt për të cilin sapo ka botuar edhe një libër dokumentues.
Ekspozita e re në Düsseldorf u konceptua në mënyrë spontane pasi punimet e planifikuara për renovimin e ndërtesës u shtynë. Kjo i dha mundësi drejtoreshës në detyrë Alicia Holthausen të ftojë Schneider-in, i cili përdori arkivin e tij të madh të replikave të dhomave për të ndërtuar dy qarqe komplekse hapësinore.
Përvoja brenda ekspozitës
Përvoja brenda ekspozitës është ndërtuar për të krijuar ankth dhe çorientim. Vizitorët lejohen të hyjnë vetëm një nga një. Sapo kalon pragun, e gjen veten në errësirë të plotë dhe me dyer që mbyllen automatikisht pas teje, pa asnjë mundësi rikthimi prapa. Rruga të dërgon përmes dhomave që përsëriten, frigoriferëve industrialë, korridoreve të errëta dhe ambienteve me kamera ku sheh veten të filmuar drejtpërdrejt.
Në qarkun e dytë, vizitorët përballen me një seri prej dhjetë banjash krejtësisht identike me tavanë të ulët ku dëgjohet vetëm pikimi i ujit, një përvojë që të bën të ndihesh sikur po ngec në një rreth të pafundëm. Përveç instalacioneve hapësinore, ekspozita përfshin edhe fotografi dokumentuese, filma dhe transmetime me pamje të drejtpërdrejta nga shtëpia origjinale “Haus ur” në Rheydt.
Ekspozita “Haus ur 2026” do të qëndrojë e hapur për publikun në Kunsthalle Düsseldorf deri më 17 janar 2027./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










