Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Drenusha Latifi kritikon ashpër Edona Llalloshin për qëndrimin ndaj Arlindës

Drenusha Latifi kritikon ashpër Edona Llalloshin për qëndrimin ndaj Arlindës
Foto: kosovarja-ks.com

Ish-missi dhe këngëtarja e mirënjohur, Drenusha Latifi, ka reaguar hapur ndaj këngëtares dhe deputetes së Kuvendit të Kosovës, Edona Llalloshi, në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.

Nëpërmjet një postimi në profilin e saj në Facebook, Latifi e kritikoi Llalloshin për atë që e konsideron mungesë të reagimit publik ndaj rastit të Arlindës, duke vënë në dyshim edhe angazhimin e saj si anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore në Kuvendin e Kosovës.

“Edona Llalloshi, për vete mbrojtje, për Arlindën heshtje!”, kështu e nisi reagimin e saj Latifi.

Ajo pretendoi se në një rast të mëparshëm, kur Llalloshi kishte kërkuar mbrojtje, institucionet kishin ndërmarrë veprime, dhe e krahasoi këtë situatë me rastin e Arlindës, e cila humbi jetën pasi, sipas raportimeve, kishte kërkuar ndihmë nga institucionet.

“Kur ti kërkove mbrojtje, institucionet vepruan dhe bashkëshorti yt u arrestua disa herë. Arlinda kërkoi mbrojtje, por përfundoi e vrarë”, ka shkruar ajo.

Kritikat për përgjegjësinë publike të Llalloshit

Drenusha më tej vuri në pikëpyetje përgjegjësinë publike të Llalloshit në kuadër të detyrës së saj parlamentare.

“Ti je anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore. Çfarë vlere ka kjo pozitë nëse zëri yt nuk dëgjohet kur gratë vriten? Pushteti nuk është privilegj për veten, por përgjegjësi për t’i mbrojtur ato që nuk kanë zë”, ka shkruar këngëtarja.

Në fund të reagimit, Latifi kritikoi edhe mënyrën se si, sipas saj, po funksionon përfaqësimi në Kuvendin e Kosovës, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë ndaj deputetes.

“Parlamentin e keni bo sfilat, defilim, pos unë në vakt Missllakun tem e kom majt kshtu ani ju Pharlamentin. A je tu e qalldis najkah…..!”, ka përfunduar ajo.

Rasti i Arlinda Zekajt dhe reagimet publike

Reagimi i Drenusha Latifit vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor. Rasti ka nxitur reagime të shumta publike, ndërsa më 28 tetor në Prishtinë u mbajt protestë për të kërkuar drejtësi për të ndjerën dhe përgjegjësi institucionale për dështimin në mbrojtjen e saj.

Drenusha Latifi është e njohur për publikun edhe nga pjesëmarrja e saj në edicionin e tretë të “Big Brother VIP Kosova”. Ndërkaq, Edona Llalloshi, përveç karrierës muzikore, aktualisht ushtron mandatin e deputetes dhe është anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione.

Burimi: www.kosovarja-ks.com

Të fundit Të gjitha