Alban Zusi, i cili merret me çështje të bujqësisë, ekonomisë dhe sigurisë ushqimore, ka dhënë mendimin e tij për taksat e reja. Sipas tij, rritja e taksimit për mjetet e luksit ose për pronat që mbahen bosh ndihmon në një farë mase për të rivendosur ekuilibrin në shoqëri.
Taksat e reja dhe formalizimi i qirave
Zusi vlerëson se shtresa që përballon këto kosto nuk e ndien rëndësinë kryesore të taksës, ndërsa kjo masë shërben gjithashtu për të formalizuar kontratat e qirasë që mund të jenë të padeklaruara.
“Marrim rastin e dikujt që blen një makinë luksi: pse e bleu 5 mijë euro më shtrenjtë për shkak të taksës më të lartë? Ose ai që i lë apartamentet bosh, sepse do të paguajë një taksë ekstra, nuk përbën ndonjë problem të madh. Pra, në një farë mënyre fillojmë dhe krijojmë një lloj riekuilibrimi të shoqërisë”, tha Zusi.
Ndryshimi i pragut të TVSH-së dhe nevoja për ekuilibër
Duke folur për ndryshimin e pragut të TVSH-së, Zusi theksoi se komuniteti i biznesit e ka kërkuar një masë të tillë për të shmangur deformimet në treg.
“Ne, komuniteti i biznesit, e kemi thënë gjithmonë se mungesa e TVSH-së tek këto biznese të vogla po na dëmton, sepse ato nuk marrin faturat dhe kjo ka krijuar disa deformime në treg. Nuk e di nëse do të zgjidhen ashtu siç janë, si masë, por është një masë që, për hir të së vërtetës, ne e kemi kërkuar. Kështu siç është, thjesht si ajo socialja, qoftë kjo e taksimit të të pasurve, po qëndrojnë konceptualisht.
Por ka nevojë për t’u bërë një lloj ekuilibrimi i tyre, sepse brenda vetvetes këto masa kanë nevojë që të shihen nga pikëpamja teknike: nëse qëndrojnë, nëse nuk kërcasin, nëse nuk krijojnë problem, nëse janë të realizueshme apo jo. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, ne na mungon blloku qendror i një pakete fiskale, që është blloku për mbështetjen e zhvillimit industrial të vendit.
Pra ne nuk kemi masat që nxisin industrinë dhe që, si një zhvillim modern i një shoqërie me bursa, të ketë mundësi për financim jo vetëm me kredi bankare, por edhe gjithë shoqëria të investojë brenda shoqërisë së vetë, ku shtresa e mesme të mos ketë mundësi për të bërë investim vetëm, ose të bëjë biznes ose të blejë një shtëpi, për të pasur mundësi të investojë edhe në industrinë e vendit”, shtoi eksperti.
Më tej, i pyetur lidhur me shqetësimin nëse ulja e TVSH-së për ushqimet bazë nga 20% në 6% do të reflektohet realisht në supermarkete, Zusi beson se baza e gjerë e tregtarëve do të krijojë një konkurrencë të mjaftueshme për të frenuar abuzimet me çmimet.
“Gjithmonë ka qenë ky diskutim që edhe pse janë ulur taksat çmimet nuk janë ulur. Po unë e kam thënë edhe më përpara, kam pasur një diskutim me autoritetin e konkurrencës. Ato më janë shprehur që do ta merrnin me shumë dëshirë nëse do t’iu caktohej me ligj edhe ky lloj funksioni për të monitoruar pjesën e çmimeve të tregut.
Ka vende në Europë që i kanë këto autoritete, e kanë edhe këtë lloj funksioni, por duke qenë se baza e tregtarëve të produkteve ushqimore është shumë e madhe, flasim për dhjetra mijëra, unë besoj se kjo ka për të krijuar një konkurrencë të mjaftueshme ku njerëzit nuk mund të arrijnë dot të krijojnë marrëveshje për të mos ulur çmimet”, shpjegoi Alban Zusi.
Burimi: euronews.al










