Sipas mediave greke, një autostradë e re që do të lidhë Janinën me pikën kufitare të Kakavijës pritet ta zvogëlojë kohën e udhëtimit në afërsisht 35–40 minuta, pas përfundimit të projektit në dhjetor të vitit 2029.
Projekti dhe buxheti
Tovima.com raporton se projekti parashikon ndërtimin e rreth 70 kilometrave autostradë, me një buxhet prej 310 milionë eurosh.
Qëllimi është rritja e sigurisë rrugore, shkurtimi i kohës së udhëtimit dhe përmirësimi i lidhjeve mes Greqisë, Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Evropës.
Punimet kanë filluar dhe po vazhdojnë në tri zona kryesore: Kosmira, Asvestochori dhe në kryqëzimin ku rruga e re do të lidhet me autostradat Ionia Odos dhe Egnatia Odos.
Një nga veprat kryesore do të jetë një urë rreth 560 metra e gjatë, me 14 hapësira, në kryqëzimin që lidh dy autostradat.
Segmentet e autostradës
Projekti ndahet në dy segmente. I pari përfshin 46,4 kilometra nga Janina në Kalpaki, ku janë planifikuar gjashtë kryqëzime të ndara në nivele. I dyti shtrihet për 23,1 kilometra nga Kalpaki deri në pikën kufitare të Kakavijës dhe parashikon përmirësimin e rrugës ekzistuese drejt Shqipërisë.
Autostrada e re do të shërbejë si zgjatim perëndimor i Egnatia Odos dhe do të përmirësojë lidhjet me zonat malore e më të izoluara të Epirit.
Projekti është pjesë e korridorit Orient/East-Med të Rrjetit të Transportit Trans-Evropian dhe synon të forcojë tregtinë dhe turizmin në Evropën Juglindore.
Me përfundimin e tij, udhëtimi prej rreth 264 kilometrash nga Antirrio në Kakavijë, përmes Janinës, pritet të zgjasë rreth dy orë e 15 minuta.
Sipas informacionit të publikuar në faqen zyrtare të qeverisë greke për projektet rrugore, përfundimi i autostradës Janinë–Kakavijë është parashikuar për dhjetor 2029.Tovima.com
Burimi: euronews.al










