Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Buxheti 2027 parashikon 56 miliardë lekë për bashkitë, ndryshime në shtator

Bashkitë në vitin 2027 parashikohet të shpenzojnë gjithsej 114 miliardë lekë, nga të cilat 56 miliardë lekë vijnë si transfertë nga buxheti i shtetit. Përfituese të këtyre fondeve do të jenë edhe 15 bashkitë që do të shkrihen si pasojë e reformës së re territoriale. Në shtatorin e vitit të ardhshëm pritet të ndryshojë edhe formula sipas së cilës u shpërndahen paratë bashkive.

15 bashki do të marrin fonde nga buxheti i shtetit për herë të fundit në vitin 2027. Reforma territoriale pritet të ndryshojë jo vetëm hartën e pushtetit vendor, por edhe mënyrën e shpërndarjes së parave për bashkitë, pasi këto 15 bashki do t’i përdorin fondet deri në shtatorin e vitit të ardhshëm, ndërsa më pas ato do t’u kalojnë bashkive të reja që do të krijohen në vjeshtën e ardhshme.

Bashkitë do të administrojnë vitin e ardhshëm një buxhet prej 114 miliardë lekësh, ku pothuajse gjysma e fondeve, rreth 56 miliardë lekë, është transfertë nga buxheti i shtetit. Nga ky fond, rreth 6 miliardë lekë u ndahen 15 bashkive që pritet të mbeten vetëm qytete në kuadër të reformës së re territoriale.

Kështu, bashkia e Maliqit, e cila merr 796 milionë lekë transfertë për vitin 2027, vlera më e lartë në krahasim me bashkitë e tjera që shkrihen, do t’i shpenzojë këto fonde deri në shtator. Pjesën e mbetur do t’ia kalojë bashkisë së Korçës, ndërsa Maliqi do të mbetet vetëm qytet. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me njësitë vendore të tjera, të cilat fondet e papërdoruara do t’ia transferojnë bashkive pritëse.

Buxheti për 15 bashkitë që shkrihen

  • Maliq 796,950 lekë
  • Divjakë 574,985 lekë
  • Përrenjas 485,588 lekë
  • Cërrik 452,231 lekë
  • Selenicë 429,123 lekë
  • Dimal 428,667 lekë
  • Patos 416,647 lekë
  • Rrogozhinë 396,151 lekë
  • Klos 362,207 lekë
  • Belsh 349,115 lekë
  • Memaliaj 317,526 lekë
  • Fushë Arrëz 299,174 lekë
  • Poliçan 287,809 lekë
  • Këlcyrë 218,706 lekë
  • Libohovë 138,308 lekë
  • Total 5,953,187 lekë

Në relacionin e projektbuxhetit thuhet se prioriteti i vitit 2027 do të jetë avancimi i procesit të decentralizimit dhe i zbatimit të reformës së re administrativo-territoriale, duke forcuar kapacitetet administrative dhe ofrimin e shërbimeve vendore.

Formula e re e ndarjes së fondeve

Gjithashtu sqarohet se vitin e ardhshëm do të ndryshojë edhe formula e ndarjes së buxhetit për bashkitë. Aktualisht fondet që u shkojnë bashkive si transfertë e pakushtëzuar bazohen në treguesit e numrit të popullsisë, dendësisë së saj, si dhe numrit të nxënësve, dhe rregullohen më tej sipas një ekuacioni financiar të bazuar në kapacitetin fiskal të bashkisë për të rritur të ardhurat. Por me uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, edhe kjo formulë do t’i përshtatet ndarjes së re.

“Forcimi i mekanizmit të ekualizimit fiskal, duke marrë në konsideratë jo vetëm diferencat në nevojat për shpenzime, por edhe diferencat në kapacitetin potencial fiskal të bashkive. Në këtë mënyrë synohet një shpërndarje më e drejtë e burimeve dhe mbështetje më e madhe për njësitë me kapacitete fiskale më të kufizuara”, thuhet në relacion.

Sa i takon të ardhurave, në vitin 2027 pushteti vendor parashikohet të mbledhë gjithsej 58,6 miliardë lekë, me një rritje prej 1.2% krahasuar me të ardhurat e pritshme për gjithë vitin aktual, me kontribut të rëndësishëm nga taksa e pronës dhe ajo e pasurive të paluajtshme.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha