Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Pa zemër u varros Saimir Sula, motra kërkon rihapjen e çështjes në Spanjë

Në fillim të vitit 2020, Saimir Sula arriti në Barcelonë, ku u vendos bashkë me motrën e tij, Majlindën, e cila jetonte prej vitesh në kryeqytetin katalanas, me synim që të gjente punë dhe të fillonte një jetë të re. Ai nisi të shiste suvenire për turistët në bulevardin La Rambla dhe më pas aplikoi në një thirrje për përfitimin e lejes së qëndrimit në Spanjë dhe për të punuar si punëtor sezonal në vjeljen e frutave. Në maj të të njëjtit vit, në kulmin e krizës së pandemisë, ai u shtrua në spital me simptoma të temperaturës. Pak kohë më vonë, motra e tij mori një telefonatë prej tij: “Eja shpejt, se po më vrasin”. Ishte data 9 maj, ditëlindja e Majlindës.

Vdekja në spital dhe zbulimi i zemrës që mungonte

Kur ajo arriti në qendrën shëndetësore, i vëllai kishte ndërruar jetë. Fillimisht, ai kishte rezultuar negativ në testin për COVID-19, më pas kishte tentuar të largohej nga spitali në një gjendje të rënduar agjitacioni dhe, në fund, ishte neutralizuar dhe mbajtur nga rojet e sigurisë. Trupi i tij u riatdhesua në Shqipëri, ku ekspertët mjekoligjorë zbuluan se zemra mungonte. Në dokumentacionin e autopsisë nuk figuronte asnjë shënim që të tregonte se ishte hequr ndonjë organ. Gjashtë vjet më vonë, familja vazhdon të presë përgjigje.

Hetimi i drejtësisë në Barcelonë u mbyll, pasi nuk u konstatuan parregullsi dhe as lidhje shkakësore me dëmtimet që paraqiste kufoma. Megjithatë, Prokuroria e Tiranës mban ende të hapur një çështje për trafikim organesh, të cilën nuk ka mundur ta përfundojë, pasi nuk ka marrë 14 provat e kërkuara nga Spanja përmes disa letërporosive ndërkombëtare.

Pas këmbënguljes disavjeçare të familjes, në korrik të vitit 2023 Shqipëria mori një zemër, e cila kishte si datë vdekjeje 22 prillin 2020. Deri më tani, organi nuk ka mundur të identifikohet përmes një analize të ADN-së, për shkak të vështirësive teknike që lidhen me faktin se ai mbërriti i konservuar në formalinë. Sipas denoncimit të familjes së të ndjerit, kjo ka dëmtuar materialin gjenetik dhe përbën shkelje të procedurave të përcaktuara.

“Në Institutin e Toksikologjisë dhe Shkencave Ligjore e dinë që ne kërkojmë analizën e ADN-së dhe megjithatë e ruajnë në formalinë?”, deklaron për The Objective Carlos Sardinero, avokati i familjes Sula.

“Kemi një zemër që është ndarë nga trupi pa u njoftuar ekspertët mjekoligjorë në Shqipëri. Ata e konstatuan këtë vetëm kur trupi i Saimirit u riatdhesua. Na u deshën muaj të tërë për të gjetur zemrën. Më pas u gjet ajo që pretendohet se është zemra, por gjykata e shkallës së parë në Barcelonë nuk lejoi kryerjen e analizës së ADN-së, pavarësisht se zinxhiri i ruajtjes dhe gjurmueshmërisë së provës ishte ndërprerë. Gjithashtu, nuk na u lejua të siguronim pamjet e kamerave për të verifikuar nëse masat e kufizimit fizik të tij kishin qenë proporcionale”, pohon ai.

Ekzaminime janë kryer në Barcelonë, Tiranë e Bruksel. Avokati nënvizon se raportimi i parë tregon për gjendje agjitimi dhe përshkruan si një çarje arterie që nuk duket në analizat e Belgjikës. Të tjera burime, afër rastit thonë se ka gabime administrative dhe mund të ketë ndodhur që organi të ketë humbur në atë situatë pandemie. Spitali Del Mar në Barcelonë nuk bën transplante, një operacion i vështirë që do salla të specializuara. Zëdhënësit e tij ngushëllojnë familjen, dhe në përgjigje për këtë raportim thanë se spitali ka bashkëpunuar me investigimin policor dhe gjykatësit për çështjen që është mbyllur në të gjitha shkallët, një vendim që Spitali e ka pranuar.

Spitali Hospital del Mar në Barcelonë nuk kryen transplante zemre, një ndërhyrje komplekse që realizohet vetëm në pak salla operacioni. Përfaqësuesit e tij kanë shprehur sërish “ngushëllimet për familjen” dhe, në përgjigje të pyetjeve të këtij mediumi, kanë theksuar se “spitali ka bashkëpunuar në çdo moment me kërkesat e paraqitura nga hetimi policor dhe nga gjyqtarët e ngarkuar me çështjen”, e cila është “pushuar në të gjitha shkallët e gjykimit, vendim të cilin Spitali del Mar e respekton”.

Gjithashtu, spitali thekson se “nuk ka marrë asnjë kërkesë nga drejtësia shqiptare për dhënien e informacionit dhe/ose marrjen në pyetje të profesionistëve të institucionit”.

Hetimi në Shqipëri dhe kërkesa për analizën e ADN-së

Letërporositë ndërkombëtare kalojnë përmes institucioneve gjyqësore të të dy vendeve dhe disa zyrave qeveritare. Ministria spanjolle e Drejtësisë ka deklaruar: “Në lidhje me çështjen gjyqësore të ndjekur në Shqipëri për një vepër të mundshme penale të trafikimit të organeve, e lidhur me zhdukjen e zemrës së Saimir Sulës pas vdekjes së tij në një spital të Barcelonës në vitin 2020, mund të konfirmojmë se Spanja ka proceduar të gjitha letërporositë ndërkombëtare (CRI) të marra në lidhje me këtë çështje”.

Sipas qendrës spitalore, “masat e kufizimit fizik zbatohen në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, duke pasur parasysh përdorimin e forcës minimale të nevojshme dhe të domosdoshme, të përshtatur për të garantuar sigurinë dhe duke respektuar parimin e proporcionalitetit, me qëllim reduktimin e dëmeve të mundshme”.

Shërbimi i sigurisë është kontraktuar nga jashtë dhe ofrohet nga kompania Sabico, drejtuesit e së cilës kjo gazetë është përpjekur t’i kontaktojë pa sukses.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës ka refuzuar të japë detaje mbi hetimin, me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, Olsian Çela. “Prokurori i Përgjithshëm ka vendosur të mos japë intervistë për shkak të ndjeshmërisë së çështjes”, është shprehur një punonjëse e institucionit.

“Sa e vështirë është të kryhet një analizë ADN-je, një test i thjeshtë, ekonomik dhe i shpejtë, brenda gjashtë vitesh?”, pyet Majlinda Sula, motra e Saimirit.

“I kërkoj zotit [Félix] Bolaños dhe Pedro Sánchezit të mos heshtin dhe të bëjnë të mundur që mjeku ligjor, i cili tashmë e di se çfarë ka ndodhur me zemrën e Saimirit, të dëshmojë para gjykatës”, vijon ajo.

Majlinda i kërkon drejtësisë “të rihapë çështjen në Spanjë dhe të kryejë analizën e ADN-së me kampionin që, sipas ligjit, ruhet i ngrirë në Institutin Kombëtar të Toksikologjisë dhe Shkencave Ligjore në Barcelonë”.

“Është e qartë se po fshehin diçka. Është e qartë se janë përpjekur shumë për të fshehur të vërtetën: Saimiri është varrosur pa zemër, ndërsa zemra që ata mbajnë të ruajtur në frigorifer ka datën e vdekjes 22 prill, ndërkohë që Saimiri vdiq më 9 maj. Vetëm analiza e ADN-së mund të vërtetojë nëse ajo zemër është e tij. Faktet flasin vetë”, përfundon ajo.

Më tej, Majlinda thekson:

“Kjo është një provë e domosdoshme për hetimin dhe fakti që refuzohet më ngjall dyshime. Familja nuk mund të vazhdojë më të përballet me këtë torturë psikologjike”.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha