Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Bota

Bullgaria: Iliana Jotova kryeson në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale

SOFJE, 1 nëntor /ATSH/ – Presidentja në detyrë e Bullgarisë, Iliana Jotova, është në krye të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, sipas dy sondazheve të publikuara pas mbylljes së votimit sot, raporton Reuters.

Rezultatet e sondazheve dhe pjesëmarrja

Jotova ka siguruar rreth 51 për qind të votave, ndërsa kundërshtari i saj, ish-kryeministri i përkohshëm Andrei Gyurov, ka marrë nga 43 deri në 45 për qind.

Rezultatet përfundimtare zyrtare pritet të shpallen nesër, pasi të përfundojë numërimi i fletëvotimeve.

Pjesëmarrja në zgjedhje vlerësohet nga 27 deri në 29 për qind, disi më e lartë se në raundin e parë të 25 tetorit, kur u regjistrua pjesëmarrja rekord e ulët prej 23 për qind.

Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë shqetësimi për sigurinë në Detin e Zi, pas një serie sulmesh me dronë ndaj anijeve tregtare pranë brigjeve bullgare.

Dhjetra marinarë dyshohet se kanë humbur jetën, ndërsa sulmet kanë nxitur reagime ndërkombëtare dhe kanë bërë që qeveria bullgare të kërkojë ndihmë nga aleatët për forcimin e sigurisë detare.

Kandidatët dhe qëndrimet e tyre

Jotova, 61 vjeçe, mori drejtimin e presidencës në janar, pas dorëheqjes së Rumen Radevit, i cili u largua për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare.

Ajo mbështetet nga forcat politike të Radevit dhe ka deklaruar se synon një Bullgari të fortë brenda Evropës, por me një politikë të jashtme të pavarur.

Ndërsa Gyurov, 50 vjeç, mbështetet nga partitë reformiste dhe pro-perëndimore dhe ka shprehur vazhdimisht mbështetjen për Ukrainën.

Të dy kandidatët kanë dënuar sulmet ndaj anijeve në Detin e Zi dhe janë shprehur në favor të një zgjidhjeje diplomatike të luftës në Ukrainë.

Nëse konfirmohet epërsia e saj nga rezultatet zyrtare, Jotova do të bëhet presidentja e parë e zgjedhur grua në historinë e Bullgarisë. /Ad.Ab./

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha