Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Plantacion kanabisi në ish-kompleks industrial në Bolonja, arrestohet shqiptari

Një plantacion i madh kanabisi, qindra kilogramë lëndë narkotike, një pjesë e mbledhur dhe në proces tharjeje, një pjesë tjetër e gatshme për paketim, si dhe një sasi tjetër e konsiderueshme e ruajtur në thasë plastikë mbi një metër lartësi, gati për shitje.

Këtë kanë zbuluar karabinierët në një kompleks të vjetër industrial, tashmë jashtë funksionit dhe i çmontuar, në Altedo të Bolonjës, i cili ishte kthyer në një plantacion të vërtetë kanabisi, bashkë me një kamp të improvizuar.

Zbulimi në Altedo të Bolonjës

Në përfundim të operacionit, përveç sekuestrimit të një sasie gjigante droge, ende në proces përllogaritjeje, por me gjasë afër një toni, është kryer një arrestim në flagrancë për mbajtje dhe prodhim të paligjshëm të lëndëve narkotike, si dhe janë proceduar penalisht gjashtë persona të tjerë për bashkëpunim në të njëjtën veprimtari kriminale.

Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, u përballën me një terren të vështirë dhe me bimësi të dendur. Aty ndodheshin rezervuarë të mëdhenj për grumbullimin e ujërave të shiut, të cilët dikur përdoreshin nga kompleksi industrial, por edhe tre persona që po merreshin me përpunimin e lëndës narkotike, të vendosur mbi një rrjetë tharjeje me gjatësi rreth 20 metra.

Të kapur në befasi, ata tentuan të largoheshin me vrap. Dy prej tyre arritën t’u shpëtonin autoriteteve dhe aktualisht janë në kërkim, ndërsa personi i tretë, një 57-vjeçar shqiptar, u arrestua.

Gjashtë personat e tjerë nën hetim në gjendje të lirë janë shqiptarë të moshave 51-65 vjeç.

Kampet dhe kontrollet e mëtejshme

Kontrollet e mëtejshme në ambientet e ish-kompleksit industrial çuan në zbulimin e shumë bimëve të kanabisit ende të mbjella dhe në fazë rritjeje, të një sasie tjetër në proces tharjeje, të një sasie të gatshme për paketim, si dhe të një sasie tjetër të konsiderueshme të vendosur në thasë plastikë, gati për t’u shpërndarë në treg.

Pranë zonës së kultivimit u zbulua edhe një kamp logjistik, me çadra kampingu që dyshohet se përdoreshin nga kultivuesit, si dhe një strukturë e posaçme për tharjen e lëndës narkotike.

Operacionet për pastrimin e plotë të zonës do të vijojnë, ashtu si edhe shkatërrimi i lëndës narkotike, sasia e së cilës deri më tani vlerësohet në disa qindra kilogramë.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha