Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Halloween tragjik në SHBA, tetë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur

Halloween tragjik në SHBA, tetë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur
Foto: abcnews.al

Të paktën tetë njerëz kanë ndërruar jetë dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e disa sulmeve me armë zjarri në qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, gjatë fundjavës së Halloween-it.

Këto ngjarje u regjistruan në disa shtete, ndërsa disa prej tyre ndodhën në zona të frekuentuara nga qytetarët dhe pranë ambienteve të argëtimit.

Sulmet në Dallas dhe Birmingham

Sulmi më i rëndë ndodhi në Dallas, Teksas, ku katër persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën pas tre sulmeve të ndara me armë zjarri në lagjen Deep Ellum. Policia po heton nëse ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën, ndërsa ka kryer edhe disa arrestime.

Një tjetër person u vra dhe tetë të tjerë u plagosën në Birmingham, Alabama, pas të shtënave pranë stadiumit Legion Field. Ngjarja ndodhi pas një ndeshjeje futbolli amerikan, ndërsa policia ka shoqëruar një person për t’u marrë në pyetje dhe ka sekuestruar disa armë.

Të shtëna pranë universiteteve dhe në Arkansas

Gjashtë persona u plagosën gjithashtu nga të shtënat pranë kampusit të Universitetit të Delaware, në Newark. Ndërsa në Bloomington, Illinois, një 19-vjeçare humbi jetën dhe shtatë persona të tjerë u plagosën nga një sulm me armë pranë një universiteti.

Në Fayetteville, Arkansas, gjashtë persona u dërguan në spital me plagë nga armët e zjarrit. Sipas policisë, para të shtënave dyshohet se kishte pasur një konflikt mes personave të përfshirë. Deri më tani nuk ka raportime për arrestime.

Dy viktima edhe në dyqanet e Halloween-it

Edhe e premtja u shënua nga dy sulme me armë zjarri në dyqane të rrjetit Spirit Halloween, në Kaliforni dhe Michigan.

Në Fairfield, Kaliforni, një 31-vjeçare, e cila ishte shtatzënë, u vra dhe gjashtë persona të tjerë u plagosën brenda një dyqani. Autoritetet dyshojnë se bëhej fjalë për një sulm të shënjestruar.

Ndërsa në Madison Heights, Michigan, një 21-vjeçar u qëllua për vdekje në një tjetër dyqan të këtij rrjeti.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet e sulmeve.

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha