Një person ka ndërruar jetë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një dyqan dekorimesh për Halloween, brenda një qendre tregtare në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara.
Të shtënat në qendrën tregtare Solano Town Center
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 të së premtes sipas kohës lokale, në një dyqan të qendrës tregtare Solano Town Center në qytetin Fairfield.
Sipas mediave amerikane, policia mbërriti në vendngjarje dhe gjeti shtatë persona të qëlluar me armë zjarri, të cilët kishin mbetur të plagosur. Njëri prej tyre ndërroi jetë më pas, ndërsa gjashtë të plagosurit u dërguan në spitalet e zonës. Të paktën tre prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.
Kërkimet për autorin dhe hetimet
Autoritetet amerikane kanë bërë me dije se vijojnë kërkimet për autorin e sulmit, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur. Hetimet po vijojnë për identifikimin e tij përmes marrjes së dëshmive të të pranishmëve dhe vëzhgimit të kamerave të sigurisë. Motivet e krimit të rëndë mbeten ende të panjohura, ndërsa qendra tregtare ku ndodhi ngjarja është zonë nën hetim.
Burimi: abcnews.al










