Ciara Mageean dhe sëmundja e saj
Ciara Mageean, atletja irlandeze që fitoi medaljen e artë në 1500 metra në Kampionatin Evropian të Romës 2024, ka ndërruar jetë në moshën 34-vjeçare.
“Rreth orës 06:30 të mëngjesit të sotëm, Ciara humbi betejën e saj me kancerin, e rrethuar nga të gjithë njerëzit e saj të dashur”, thuhet në njoftimin e publikuar në profilet e saj në rrjetet sociale.
Atletja e kishte bërë publike sëmundjen në korrik të vitit 2025 dhe kishte treguar për jetën e saj të re në librin ‘My Greatest Race’.
Në një intervistë prekëse për gazetën The Irish Times në muajin qershor, Mageean kishte folur hapur për diagnozën me kancer në zorrë.
Ajo kishte zbuluar se mjekët e kishin paralajmëruar se mund t’i kishin mbetur vetëm dy ose tre vite jetë, duke pranuar se kishte frikë se nuk do ta festonte ditëlindjen e saj të 40-të. Vetëm disa javë më parë, ajo dhe i shoqi kishin kurorëzuar martesën e tyre.
Karriera sportive e Mageean
Medalja e artë e fituar në Romë ishte suksesi më i madh i karrierës së saj dhe plotësoi koleksionin e medaljeve evropiane, pas medaljeve të bronzta në Amsterdam 2016 dhe Glasgow 2019, si dhe medaljes së argjendtë në Mynih në vitin 2022.
Mageean mori pjesë katër herë në Golden Gala Pietro Mennea, gjithmonë në garën e 1500 metrave: në vitin 2017 në Romë, në vitin 2021 në Firence, në vitin 2022 në stadiumin Olimpico dhe në vitin 2023 sërish në Firence, ku u rendit e katërta në garën historike në të cilën atletja keniane Faith Kipyegon vendosi rekordin botëror.
Burimi: shqiptarja.com