Tarifat e shkollimit për qytetarët e BE-së
Qeveria e Andy Burnham po shqyrton mundësinë që qytetarët e Bashkimit Evropian të paguajnë të njëjtat tarifa shkollimi si studentët britanikë. Kjo çështje është pjesë e negociatave për afrimin ndërmjet Londrës dhe Brukselit.
Propozimi do të zvogëlojë ndjeshëm koston e studimit për qytetarët e BE-së që duan të studiojnë në universitetet britanike. Pas marrëveshjes së Brexit-it, ata paguajnë tarifa më të larta, që në disa shkolla arrijnë mbi 30,000 paund në vit.
Tarifat për studentët britanikë në Angli janë pak mbi 9,000 paund në vit. Shuma e saktë, në të dy rastet, varet nga universiteti dhe kursi i studimit.
Sipas njoftimeve të shtypit, qeveria duket e gatshme të ofrojë deri në 450 milionë paund në vit për universitetet britanike, për të kompensuar humbjen e të ardhurave nga ulja e tarifave.
Kjo shumë është orientuese, theksojnë burimet nga Thesari Britanik. Ajo është llogaritur mbi bazën e një rritjeje të shpejtë të numrit të studentëve nga BE-ja. Për këtë arsye, kostoja përfundimtare mund të jetë shumë më e ulët, thekson i njëjti burim.
Universitetet britanike nuk e shohin me sy të mirë propozimin. Ato kanë shprehur tashmë rezervat e tyre, duke paralajmëruar se barazimi i tarifave pa fonde të mjaftueshme qeveritare mund t’i përkeqësojë problemet financiare.
Sipas vlerësimeve të Grupit të universiteteve Russell, kostoja mund të kalojë 500 milionë paund. Grupi Russell përbëhet nga 24 universitete kryesore kërkimore në Britani.
Kërkesa për programin “Made in Europe”
Qeveria e Burnham, për të vazhduar këtë veprim, do të kërkojë gjithashtu një kthim financiar të konsiderueshëm nga Brukseli. BE-ja duhet t’u lejojë kompanive britanike të marrin pjesë në programin evropian në zhvillim “Made in Europe”.
“Made in Europe” është një iniciativë e BE-së që synon të forcojë industrinë evropiane, duke i dhënë përparësi produkteve të prodhuara në Evropë. Qëllimi është mbrojtja e vendeve të punës, forcimi i konkurrueshmërisë dhe zvogëlimi i varësisë nga vendet e treta, veçanërisht Kina.
Iniciativa lidhet, ndër të tjera, me industrinë e automobilave, industrinë e çelikut dhe teknologjitë e energjisë së pastër.
Qeveria britanike shqetësohet se përjashtimi i bizneseve të saj nga skema do të dëmtojë industrinë, eksportet dhe investimet. Ajo po shqyrton uljen e tarifave universitare si pjesë e një partneriteti më të gjerë ekonomik me BE-në. Diskutimet përgatitore po zhvillohen përpara samitit Britani-BE, i planifikuar për 20 nëntor në Bruksel.
Burimi: euronews.al










