TIRANË, 2 nëntor /ATSH/ Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, deklaroi sot se projektbuxheti i vitit 2027 e mban kurs drejt konsolidimit fiskal. Sipas saj, kjo politikë kontribuon në qëndrueshmërinë e financave publike dhe krijon hapësira për investime.
Gjatë diskutimit në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ku u shqyrtua opinioni i Bankës së Shqipërisë për projektligjin “Për Buxhetin e vitit 2027” dhe për projektligjet e paketës fiskale, Ahmetaj tha se vlerësimi i institucionit fokusohet te politika fiskale e projektbuxhetit, te parashikimet e të ardhurave dhe te kontrolli i deficitit buxhetor. Të gjitha këto analizohen në përputhje me kërkesat ligjore për përgjegjshmërinë fiskale.
Konteksti makroekonomik
Duke folur për kushtet makroekonomike, Ahmetaj theksoi se Shqipëria ka regjistruar gjatë viteve të fundit një rritje të qëndrueshme të aktivitetit ekonomik.
“Shqipëria ka shënuar një rritje të qëndrueshme të aktivitetit ekonomik gjatë viteve të fundit, shoqëruar nga zgjerimi i punësimit dhe rritja e pagave në sektorin privat jobujqësor. Sipas INSTAT dhe të dhënave indirekte, këto trende kanë vazhduar dhe do të jenë të pranishme edhe në tre tremujorët e parë të vitit 2026”, tha ajo.
Zëvendësguvernatorja nënvizoi se stabiliteti ekonomik dhe financiar i vendit është përmirësuar, ndërsa inflacioni i çmimeve të konsumit mbetet i ulët dhe afër objektivit të Bankës së Shqipërisë.
“Treguesit e qëndrueshmërisë së jashtme dhe asaj fiskale të vendit, si borxhi i jashtëm dhe ai publik, deficiti i llogarisë korrente dhe deficiti buxhetor, ndodhen në nivelet më të ulëta të dy dekadave të fundit”, deklaroi Ahmetaj.
Ajo shtoi se janë vërejtur përmirësime edhe te treguesit e shëndetit financiar të bizneseve dhe familjeve shqiptare, si dhe në qëndrueshmërinë e sektorit bankar.
“Ky progres është njohur nga vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian, të cilat përputhen me vlerësimet e mësipërme. Ai gjithashtu është pasqyruar në uljen e rrezikut të borxhit sovran të vendit nga Moody’s dhe Standard & Poor’s”, tha ajo.
Ahmetaj vuri në dukje se perspektiva ekonomike mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve, si për inflacionin ashtu edhe për rritjen ekonomike.
“Konjuktura aktuale e zhvillimit mbetet sfiduese, e karakterizuar nga rreziqet e kahut të sipërm për inflacionin dhe rreziqet e kahut të poshtëm për rritjen ekonomike. Këto rreziqe burojnë si nga konteksti gjeopolitik dhe rritja e çmimeve në tregjet botërore, ashtu edhe nga tensionet e brendshme sociale, të cilat rrisin pasigurinë e bizneseve dhe familjeve”, u shpreh zëvendësguvernatorja.
Sipas saj, perspektiva afatmesme dhe afatgjatë e zhvillimit ekonomik mbetet pozitive, por kërkon vazhdimin e reformave për zvogëlimin e dobësive strukturore dhe përshpejtimin e ritmit të rritjes.
“Statusi i Shqipërisë si një ekonomi me të ardhura të mesme dhe perspektiva e përballjes me një nivel më të lartë konkurrence brenda BE-së kërkojnë vazhdimin e reformave për zvogëlimin e dobësive strukturore, si edhe përshpejtimin e ritmit të rritjes. Këto reforma duhet të synojnë zgjerimin e bazës sektoriale të rritjes, përmirësimin e produktivitetit të punës dhe kapitalit përmes cilësisë më të lartë të arsimit, përmirësimit të klimës së biznesit dhe krijimit të një mjedisi që favorizon investimet dhe inovacionin”, theksoi Ahmetaj.
Projektbuxheti 2027
Lidhur me projektbuxhetin 2027, Ahmetaj vlerësoi se dokumenti arrin të balancojë sfidat afatshkurtra me prioritetet afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit të vendit.
“Projektbuxheti 2027 ruan kahun konsolidues të politikës fiskale, çka rrit qëndrueshmërinë e financave publike, ndihmon kontrollin e presioneve inflacioniste dhe rrit hapësirat për reagimin e politikës financiare. Së dyti, ky buxhet krijon hapësira fiskale për një nivel më të lartë të investimeve publike, në mbështetje të përmirësimit të infrastrukturës publike”, deklaroi ajo.
Ahmetaj u ndal edhe te paketa e re tatimore, e cila, sipas saj, synon zgjerimin e bazës së të ardhurave dhe uljen e informalitetit.
Projektbuxheti parashikon një deficit buxhetor prej 2,3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe vazhdimin e trajektores rënëse të borxhit publik. Sipas Bankës së Shqipërisë, këta tregues dëshmojnë angazhimin për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale.
Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, kritikoi projektbuxhetin 2027 dhe theksoi mungesën e masave për adresimin e emigracionit dhe tkurrjes së popullsisë, si dhe të politikave të pagave në sektorin publik.
Duke iu referuar raporteve vjetore të Bankës së Shqipërisë për vitet 2024 dhe 2025, Bozdo tha se zhvillimet demografike dhe emigracioni janë evidentuar si faktorë që ndikojnë në rënien e popullsisë.
“Shqipëria ka humbur mesatarisht 50 mijë banorë në vit për arsye emigrimi. Kushtet në tregun e punës mbeten të shtrënguara dhe bizneset kanë vështirësi në plotësimin e vendeve vakante”, u shpreh Bozdo.
Sipas tij, projektbuxheti nuk parashikon ndërhyrje konkrete për të luftuar këtë fenomen.
“Pasqyra e qeverisë nuk jep asnjë masë për të luftuar fenomenin e emigracionit dhe të tkurrjes së popullatës”, deklaroi deputeti i PD-së.
/e.i/r.e/a.f/
Burimi: ata.gov.al









