Një e pesta e shpenzimeve të buxhetit të shtetit për vitin 2025 u realizua vetëm gjatë muajit dhjetor, ndërsa te investimet publike përqendrimi ishte shumë më i lartë, me 40.6% të totalit vjetor. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në raportin për zbatimin e buxhetit 2025, paralajmëron se realizimi i një vëllimi kaq të madh pagesash në një periudhë të shkurtër rrit rrezikun e mangësive në kontrollet para pagesës dhe e bën më të vështirë menaxhimin e likuiditetit. Auditimi zbuloi gjithashtu se në muajin e fundit të vitit u shlyen rreth 24.8 miliardë lekë, afërsisht 250 milionë euro, për fatura të lëshuara në muajt dhe vitet e mëparshme, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e investimeve të planifikuara mbeti e pa realizuar.
Shpenzimet e muajit dhjetor
Shpenzimet buxhetore të dhjetorit 2025 arritën në 162.5 miliardë lekë, ose 20.3% të totalit vjetor prej 801.7 miliardë lekësh, sipas raportit të KLSH-së për zbatimin e buxhetit. Shuma e shpenzuar vetëm në dhjetor ishte 2.8 herë më e lartë se mesatarja mujore e periudhës janar–nëntor.
Përqendrimi ishte veçanërisht i fortë te investimet publike. Në dhjetor u regjistruan 53.4 miliardë lekë shpenzime kapitale, ose 40.6% e totalit të investimeve të realizuara gjatë gjithë vitit, që arriti 131.6 miliardë lekë. Krahasuar me njëmbëdhjetë muajt e mëparshëm, ritmi i shpenzimeve kapitale në dhjetor ishte rreth 7.5 herë më i lartë se mesatarja mujore.
Shpenzimet korrente arritën në 92.5 miliardë lekë, ose 1.8 herë më shumë se mesatarja mujore e janarit deri në nëntor. Në shpenzimet e dhjetorit u përfshi edhe një transfertë prej 16.6 miliardë lekësh në llogarinë e Fondit të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë, që përbën 10.2% të shpenzimeve të raportuara për këtë muaj. KLSH vlerëson se kjo transfertë nuk është shpenzim efektiv, megjithëse është përfshirë në treguesit e realizimit të buxhetit.
Rreth 250 milionë euro pagesa në dhjetor për fatura të mëparshme
Auditimi ka evidentuar se vëllimi i lartë i pagesave në fund të vitit nuk lidhet vetëm me aktivitetin e zhvilluar gjatë dhjetorit. Një pjesë e konsiderueshme e faturave të shlyera në këtë muaj ishin lëshuar më herët.
Konkretisht, gjatë dhjetorit u shlyen 14.96 miliardë lekë fatura për investime kapitale dhe 8.90 miliardë lekë për shpenzime operative, të lëshuara gjatë periudhës janar–nëntor 2025. Një shumë tjetër prej 955 milionë lekësh u përdor për pagesën e faturave të investimeve të vitit 2024 dhe të viteve të mëparshme.
Në total, këto pagesa arrijnë 24.8 miliardë lekë, ose afërsisht 250 milionë euro, duke përfaqësuar 15.3% të të gjitha shpenzimeve të dhjetorit.
Sipas KLSH-së, përqendrimi i një numri të madh transaksionesh në një periudhë kaq të shkurtër rrit ekspozimin ndaj mangësive në kryerjen e kontrolleve para pagesës dhe krijon vështirësi në planifikimin dhe administrimin e likuiditetit.
Për investimet publike, kjo praktikë shton presionin mbi strukturat që duhet të verifikojnë dokumentacionin, situacionet e punimeve dhe përputhjen e pagesave me detyrimet kontraktuale. Krahas rrezikut të kontrolleve të pamjaftueshme, përqendrimi i kontraktimeve dhe i punimeve në fund të vitit mund të rëndojë edhe kapacitetet e kompanive zbatuese dhe të mbikëqyrjes së cilësisë.
Nga suficit 500 milionë euro në nëntor, në deficit brenda një muaji
Përqendrimi i shpenzimeve në dhjetor ndryshoi ndjeshëm edhe bilancin e buxhetit.
Deri në fund të nëntorit 2025, buxheti kishte akumuluar një suficit prej 49.1 miliardë lekësh, ose rreth 500 milionë euro. Gjatë dhjetorit, të ardhurat arritën 66.3 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet 162.5 miliardë lekë. Diferenca prej 96.2 miliardë lekësh e ktheu suficitin e njëmbëdhjetë muajve në një deficit vjetor prej 47.1 miliardë lekësh.
Sipas vlerësimit të KLSH-së, realizimi i treguesve vjetorë nuk mjafton për të vlerësuar cilësinë e ekzekutimit të buxhetit, nëse nuk merren parasysh shpërndarja e pagesave gjatë vitit, nevoja për likuiditet dhe progresi faktik i projekteve të financuara.
Investimet, 25.5 miliardë lekë më pak se plani
Megjithëse në dhjetor u realizua pothuajse gjysma e investimeve të vitit, shpenzimet kapitale mbetën 25.45 miliardë lekë, ose rreth 16%, nën planin përfundimtar.
Investimet me financim të huaj patën mosrealizimin më të madh, me 15.8 miliardë lekë më pak se parashikimi. Ndërkohë, investimet me financim të brendshëm u realizuan në masën 93.9% të planit përfundimtar.
“Monitor” kishte raportuar më herët se rreth 41% e shpenzimeve kapitale të vitit 2025 u përqendruan në dhjetor, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e fondeve mbeti e pashfrytëzuar, pavarësisht përshpejtimit të pagesave gjatë muajit të fundit.
Kjo problematikë vazhdon edhe gjatë vitit 2026. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të analizuara nga “Monitor”, në nëntë muajt e parë të vitit investimet kapitale arritën vetëm 62.7 miliardë lekë, ose 35.6% të planit vjetor prej 176 miliardë lekësh. Për realizimin e plotë të planit do të nevojiteshin edhe 113.4 miliardë lekë, rreth 1.2 miliardë euro, gjatë tre muajve të fundit.
Kjo do të kërkonte një mesatare mujore
Burimi: www.balkanweb.com










