Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Apartamenti fiton më shumë se fabrika, ish-zv.ministrja akuzon qeverinë për ekonominë

Apartamenti fiton më shumë se fabrika, ish-zv.ministrja akuzon qeverinë për ekonominë
Foto: lajmifundit.al

Kur apartamenti bëhet më tërheqës se fabrika, qeveria e gjen zgjidhjen te taksat!

Debati për taksimin e pronës dhe të banesave bosh nuk duhet reduktuar në një çështje ideologjike. Do të ishte një zbulim politik me përmasa historike nëse qeveria socialiste nuk do të kishte pasur ndonjëherë një lidhje të veçantë me të majtën.

Ky debat duhet parë në një kontekst më të gjerë: një ekonomi ku ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme thithin një pjesë gjithnjë e më të madhe të kapitalit, investimeve dhe kreditimit, ndërkohë që sektorët që duhet të garantojnë zhvillimin afatgjatë mbeten shumë të dobët.

Ndërtimi si destinacion kryesor për kapitalin

Të dhënat për peshën e ndërtimit në ekonominë shqiptare tregojnë një prirje që meriton vëmendje. Pesha e sektorit në PBB u rrit nga rreth 9.5% në vitin 2021 në 11.2% në vitin 2022 dhe 11.65% në vitin 2023, duke iu afruar 12.6% në vitin 2025.

Ndërsa ritmi i rritjes së sektorit ka qenë në disa vite dukshëm më i lartë se ritmi i rritjes së përgjithshme të ekonomisë, zgjerimi i tij nuk duket se është mbështetur vetëm në kërkesën reale. Ndërtimi është bërë një nga destinacionet më të lehta për kapitalin privat, në një ekonomi që nuk arrin të zhvillojë sektorë të tjerë me produktivitet dhe potencial eksportues. Në këtë rast nuk kemi thjesht një sektor që po rritet shpejt. Kemi një treg ku çmimet rriten edhe pse oferta është e bollshme dhe apartamentet mbeten bosh. Me fjalë të tjera, një ekonomi që ka përqendruar burimet e saj te një model zhvillimi ku ndërtimi dhe rritja e vlerës së pronave marrin përparësi ndaj prodhimit, inovacionit dhe krijimit të vlerës së shtuar. Thënë më thjesht, apartamenti është bërë investim më tërheqës se fabrika. Të dhënat e kreditimit tregojnë gjithashtu një zgjerim të financimit për ndërtimet e reja dhe një rritje të ekspozimit financiar ndaj pasurive të paluajtshme.

Në ndërtim është krijuar një cikël vetëpërforcues: rritja e çmimeve të pronave nxit pritshmëri për fitime të mëtejshme; këto pritshmëri tërheqin investitorë të rinj; kërkesa për financim rritet; bankat ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj të njëjtit sektor dhe kapitali largohet nga mundësi të tjera investimi. Kryeministri Edi Rama ka qenë vetë pjesë e këtij cikli kur deklaroi se çmimet e pronave dhe apartamenteve në Shqipëri do të rriten dy herë më shumë kur vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Taksa si instrument për korrigjimin e tregut

A mund të korrigjojë një qeveri, përmes politikës fiskale, një model ekonomik që vetë e ka ndërtuar dhe ushqyer, ku burimet orientohen gjithnjë e më shumë drejt akumulimit të pasurive të paluajtshme dhe gjithnjë e më pak drejt aktiviteteve prodhuese?

Një taksë periodike mbi pronën, e bazuar në vlerën reale të saj, ose një taksë për mospërdorimin do të rriste koston e mbajtjes së pasurisë dhe do të ulte leverdishmërinë e mbajtjes pasive të kapitalit në pasuri të paluajtshme. Edhe pse paraqitet si taksë progresive, taksat që priten të vendosen mbi pasuritë e paluajtshme duhen parë si instrumente që mund të ndihmojnë në ftohjen e një tregu që po mbinxehet dhe në korrigjimin e stimujve që e kanë ushqyer atë.

Por vendosja e një takse mbi pasurinë ose mbi banesat bosh nuk mjafton për të adresuar çekuilibrin ekonomik, nëse nuk krijohen alternativa të tjera për kapitalin. Edhe nëse me anë të këtyre taksave rritet kostoja e investimit në pasuri të paluajtshme, kjo nuk do të thotë automatikisht se kapitali do të shkojë drejt prodhimit. Nuk ekziston asnjë ligj ekonomik që thotë se, sapo të taksohet apartamenti, investitori do të zgjohet të nesërmen me dëshirën për të hapur një fabrikë.

Për këtë duhet të krijohen kushte që investimi në industri, agropërpunim, teknologji, inovacion dhe eksport të ofrojë perspektivë të qëndrueshme dhe kthim ekonomik tërheqës. Përndryshe, kapitali mund të zhvendoset drejt sektorëve të tjerë po aq joproduktivë ose të presë thjesht mundësi të reja spekulimi.

Politikat zhvillimore janë detyra më e vështirë për çdo qeveri, dhe qeveritë e Ramës nuk kanë arritur gjithmonë t’i realizojnë ato. Këtu kërkohen strategji zhvillimi që shkojnë përtej politikës fiskale: institucione më të parashikueshme, konkurrencë reale, infrastrukturë, arsim profesional, akses në financim për bizneset prodhuese dhe një klimë ku investimi afatgjatë nuk penalizohet nga pasiguria dhe pengesat strukturore.

Ndaj qeveria, edhe në këtë rast, ka zgjedhur zgjidhjen e shpejtë dhe të thjeshtë: ka vendosur të taksojë çekuilibrin që vetë e ka lejuar dhe ushqyer. Kapitalin që e la të përqendrohej te ndërtimi pa i ofruar alternativa më produktive, tani synon ta largojë nga ndërtimi me taksa. Ndoshta është më e lehtë të taksosh pasojat e një modeli të gabuar sesa të punosh për një model tjetër, por kjo qasje e paraqitur si luftë kundër të pasurve nuk zgjidh shkakun e problemit.

Duhet pranuar se kjo është një mënyrë e pazakontë për të njohur dështimin e politikës ekonomike pa e quajtur ashtu.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha